E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ndalen subvencionet për KEK’un

Qeveria e Kosovës, për vitin 2012 ka ndarë 13 milion euro subvencione për KEK’un, pavarësisht se kishte paralajmëruar se nuk do ta financojë më këtë ndërmarrje. Në MZHE thonë se këto mjete janë paraparë me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve. Njohësit e energjetikës nuk pajtohen që kjo korporatë të subvencionohet edhe pas privatizimit. Nga Albulena Maloku më 02 tetor 2011 në ora 08:39

Subvencionimi i ndërmarrjeve publike nuk do të ndalet as me privatizimin e tyre. Të paktën, Korporata Energjetike e Kosovës edhe vitin e ardhshëm do të fitojë 13 milionë euro subvencione nga Qeveria e Kosovës, pavarësisht paralajmërimeve të kësaj të fundit se do ta privatizojë këtë ndërmarrje sivjet.

Përveç kësaj, gjatë vitit që vjen, KEK’u është paraparë të përfitojë edhe 4.5 milionë euro për faturat e energjisë elektrike për familjet nën asistencë sociale.
Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, thonë se 13 milionët e ndara për korporatën e vetme energjetike në vend, janë paraparë me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.
Ramadan Sejdiu, drejtor i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në MZHE, tregon për Express se subvencionet e vitit 2012, për Korporatën Energjetike, janë 50 për qind më të vogla se në vitet paraprake.

“Për vitin 2012, sipas projeksioneve të para dhe qarkores buxhetore të Ministrisë së Financave, e që është në përputhje me KASH’in, KEK’u do të subvencionohet për import të energjisë prej 13.050.000 eurosh dhe 4.5 milionë euro për raste sociale, që tërësisht janë për 50 për qind më të vogla subvencionimet për KEK’un se në vitin 2011”, thotë Sejdiu.

Ai tregon se që kur Ligji për ndërmarrjet publike është aprovuar në qershor të vitit 2008, në Kuvend, dhe që nga ky vit kur përgjegjësitë kanë kaluar nga ish-AKM’ja në institucionet vendore, e deri në vitin 2011, KEK’u është subvencionuar nga Qeveria e Kosovës në një shumë prej 176.5 milionë eurosh.
“Kjo shumë ndahet në subvencione për import, për raste sociale dhe kapitale”, pohon drejtori Sejdiu.
Në anën tjetër, zyrtarë të KEK’ut thonë se ka dy vjet që kjo korporatë subvencionohet vetëm për import të energjisë.
“KEK’u subvencion merr vetëm për import, sepse subvencionet e tjera ka dy vjet që janë ndërprerë. Domethënë se këto mjete janë për import”, thotë zëdhënësi i KEK’ut, Viktor Buzhala.

Mirëpo, në korporatë ende nuk e dinë sa para iu duhen për importin e energjisë gjatë vitit 2012.

“KEK’u është në fazën e përgatitjes së bilancit elektroenergjetik për vitin e ardhshëm. Me t’u përfunduar bilanci, do t’ua dërgojmë të gjitha të dhënat e kërkuara nga ju”, ka pohuar Buzhala.
Për njohësit e energjetikës, subvencionimi i KEK’ut në rast se privatizohet, siç është paraparë, rrjeti i shpërndarjes, është i paarsyeshëm.

Et’hem Çeku, njohës i energjetikës, thotë se një formë e tillë me subvencionime pas privatizimi nuk ndodh askund. Sipas tij, kompanitë që nuk janë të qëndrueshme financiarisht, duhet të trajtohen në mënyra të tjera.
“Tashmë pjesët e kësaj korporate nuk janë profitabile dhe për shkak të kësaj, tash Qeveria po detyrohet dashtë e pa dashtë ta subvencionojë edhe pas privatizimit këtë ndërmarrje”, thotë ai.
Problem, sipas Çekut, janë edhe vonesat e Qeverisë në projektin Kosova e Re, të cilat thotë se kanë bërë që tash nga arka e shtetit t’i jepen para KEK’ut.
“Por kjo nuk mund të arsyetohet sidomos pas privatizimit të rrjetit”, thotë ai.
Madje, për Çekun, edhe mjetet që janë ndarë për vitin 2012, nuk do ta zgjidhin problemin e furnizimit me energji elektrike.

Ditë më parë, përmes një komunikate, Komiteti Qeveritar për Privatizimin e KEK’ut njoftoi se nuk do të ketë subvencione për mosinkasim, për kompaninë e ardhshme private që do të blejë Distribucionin dhe Furnizimin e Korporatës së vetme energjetike në vend.
“Një nga synimet kryesore të këtij procesi të privatizimit është t’i eliminojë subvencionet në energjetikë duke i reduktuar ato gradualisht, sepse si të tilla, përbëjnë ngarkesë për Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës. Qëllimi është gjithashtu të përmirësojë efikasitetin në operim, në inkasim dhe të sigurojë qëndrueshmëri të furnizimit me energji elektrike”, thuhej në komunikatë.

Megjithatë, zyrtarët e Ministrisë së Zhvillimit ekonomik thonë se vitin tjetër do të vazhdojnë të ndajnë para për ndërmarrjet që nuk mund ta mbajnë veten financiarisht. Në vitin 2012, do të ndahen 8.1 milionë euro për projekte kapitale te KOSTT-it, InfraKos-it ,TrainKos-it si pasardhëse të Hekurudhave të Kosovës dhe NP për ujësjellës dhe mbeturina.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›