“Jetë rrugësh” në TIFF
Modernizmi përbën një rrezik për shoqërinë. Një periudhë e pashmangshme, ku njerëzia implikohet në mënyrë të pavetëdijshme, duke mbartur shumë risqe me vete. Ajo “baticë” që përfshin çdo njeri të zakonshëm, duke e shpërlarë në një person plastik, teksa humb gradualisht natyrën motive e ndjeshmërinë e një humani. Kjo është ideja që transmeton regjisori turk, Selim Evci, në filmin e tij “Two Lines”, një produksion me metrazh të gjatë që konkurron në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë. Në kuadër të këtij konkurrimi, gjen mundësinë që të shikojë edhe Shqipërinë për të parën herë. Gjatë një interviste, regjisori turk, Evci, shpjegon shkaqet që e kanë nxitur të realizojë një “film rrugësh”, siç e quan vetë ai, në një udhëtim drejt Shqipërisë...
Intervistoi: Suela Furriku
Ju vini nga Turqia për të konkurruar në festivalin e TIFF-it me filmin tuaj “Two Lines”. Na tregoni diçka mbi eksperiencat tuaja si regjisor, pasi në Shqipëri nuk ju njohim...
Jam një regjisor që vij nga Turqia. Kam një kompani për realizimin e filmave në Stamboll, po ashtu kam edhe eksperienca si producent i shumë filmave, ndërsa kompania ime organizon edhe një festival për filmin në Turqi. Kam realizuar shumë filma të shkurtër, ndërsa ky është filmi im i parë që kam realizuar me metrazh të gjatë. Pikërisht ky film, i cili është në konkurrim në këtë festival në Tiranë ka qenë një ndër filmat pjesëmarrës në edicionin e vjetshëm në festivalin e filmit në Venecia. U shfaqën rreth 30 filma në atë festival, ndërsa TIFF shënon të dytën herë që unë prezantohem nëpër festivale ndërkombëtare me anë të këtij filmi. Aktualisht kam një projekt që quhet “Vins”, të cilin sapo kam mbaruar së shkruari, ndërkohë që gjendem në fazën e përzgjedhjes.
Mësova se ju konkurroni për të parën herë në një kompeticion si TIFF në Tiranë. Si ndiheni?
Ndihem mirë që marr pjesë në këtë festival, pasi për mua është edhe hera e parë që vij në Shqipëri. Do ta shikoja si një eksperiment shumë të mirë, pasi në këtë mënyrë unë shikoj edhe kulturën tuaj nga afër. Kështu që ndihem mirë.
Si erdhi propozimi që ju të bëheni pjesë e këtij edicioni?
Jam bërë pjesë e festivalit të filmit sapo kam marrë një ftesë nga organizatorët.
Si e pritët ju këtë ftesë, çfarë vlerësuat më shumë nga ky festival?
Përderisa ishte një festival ndërkombëtar nuk do të kishte kuptim të mos e pranoja, e po ashtu në të njëjtën kohë më nxiti fakti se Tirana është një qytet i madh. Doja ta shikoja atë.
Filmi juaj titullohet “Two Lines”. ǒmund të na thoni mbi këtë produksion?
Filmi im do të shfaqet sot në festival, pasi për disa arsye teknike nuk është shfaqur dje, ashtu siç ishte parashikuar. Filmi flet mbi modernizmin në Turqi, sepse ky shtet gjendet mes dy kulturash, mes asaj evropiane dhe aziatike. Në qendër të filmit është vendosur një çift të rinjsh, të cilët ndërtojnë një “film rrugësh” nëse do ta quanim ndryshe.
Çfarë ju nxiti ju si regjisor të trajtonit pikërisht një temë të tillë në një film artistik?
Nuk mund ta lidh me ndonjë motiv konkret, por ka lidhje më shumë me ndjenjat. Nuk e kisha planifikuar, por thjesht e kam ndjerë të trajtoj një temë të tillë, pra modernizmin në Turqi. Kam menduar ta shikoj në atë këndvështrim që njerëzit të tregohen të kujdesshëm kundrejt modernizmit, pasi në të kundërt ata do të shndërrohen në njerëz shumë plastikë, duke humbur kështu emocionet e tyre. Është diçka e keqe, për mua. Në këtë rast do të ndikonte jashtë mase teknologjia, avancimet e ndryshimi i rrjedhës së jetës në përshtatje me këto kushte.
Çfarë vështirësish keni ndeshur në realizmin e këtij filmi, pasi ju thatë që është edhe filmi juaj i parë me metrazh të gjatë?
Kam pasur shumë vështirësi, pra siç e theksuar edhe ju duke qenë se është filmi im i parë me metrazh të gjatë. Skenarin e këtij fikmi e kam shkruar që kur kam qenë në gjimnaz dhe kam pritur për katër vjet për të gjetur para për sponsorizimin. Kjo ka qenë një prej risive më të mëdha që kam pasur.
Përmbajtja
Mert dhe Selin duhet të jenë mrekullisht të lumtur. Ai është një fotograf, ajo punon në një zyrë në Stamboll. Ata janë të rinj, të pashëm, kanë një apartament të mrekullueshëm, shkojnë nëpër koncerte dhe drama, bëjnë dashuri. Po përveç aparencës, duket sikur pasioni është larguar nga jetët e tyre, pra kur ata vendosin të bëjnë një udhëtim me shpresën se gjërat do të ndryshojnë, ne pyesim veten se mos është shumë vonë