E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Durrësit shpërblen nxënësit më të mirë të qytetit



Bashkia e Durrësit në vazhdën e projekteve të saj në shërbim të qytetit dhe banorëve ka vendosur që të stimulojë edhe nxënësit më të mirë të qytetit, sepse në këtë mënyrë kjo bashki investon për të ardhmen e qytetit. Në zbatim të projektit “Investojmë sot për një të ardhme të sigurt nesër” është kryer nga Bashkia e Durrësit shpërblimi i nxënësve me rezultate të shkëlqyera në mësime dhe aktivitete të ndryshme me një fond prej 1.5 milion lekësh të reja, gjë që është kthyer tashmë në traditë të përvitshme nga ana e kësaj bashkie. Megjithëse është viti i katërt, ky nuk do të jetë i vetmi projekt pasi bashkia do të vazhdojë me projekte të tilla edhe në të ardhmen, pasi ato i shërbejnë të gjithë qytetit dhe qytetarëve të Durrësit. Në ceremoninë e zhvilluar në sallën e këshillit bashkiak merrte pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit, drejtues të DAR etj. Në këtë ceremoni janë shpërblyer 42 nxënës nga shkollat 9-vjecare dhe të mesme publike dhe jo publike me një shumë që varion në bazë të rezultateve, nga 20 mijë lekë të reja deri në 50 mijë lekë. Nxënësit e shpërblyer janë jo vetëm ata me rezultate të larta në mësime, por edhe më të mirët e maturës shtetërore dhe që kanë zënë vendet e para në olimpiada kombëtare dhe mbarëkombëtare. Veç shpërblimit material në ceremoninë që është zhvilluar në sallën e Këshillit Bashkiak, iu dha atyre edhe një certifikatë “E ardhmja e qytetit” nga ana e kryetarit të bashkisë, Vangjush Dako. Në fjalën e tij, Dako tha se “Bashkia e Durrësit do të jetë gjithmonë pranë nxënësve dhe do t’i stimulojë ata në përvetësimin sa më të mirë të dijeve dhe vënien e tyre në zbatim të së ardhmes evropiane të qytetit tonë. Ju jeni e ardhmja e shkëlqyer e qytetit tonë, ndaj bashkisë i takon që t’ju qëndrojë gjithmonë pranë dhe të japë ndihmën e saj në aktivitetin tuaj mësimor. Rezultatet tuaja të sotme janë një garanci e zhvillimit të qytetit tonë nesër, sepse ju do t’i investoni këto dije që i keni përvetësuar në mënyrë të shkëlqyer në shërbim të Durrësit dhe të ardhmes së tij evropiane”. “Bashkia e Durrësit nëpërmjet këtij projekti ju stimulon për një ecuri sa më të kënaqshme në procesin tuaj të mësim-marrjes, por duhet të jeni të sigurt se ky nuk do të jetë i vetmi projekt, pasi Bashkia e Durrësit do të vazhdojë me projekte të tilla edhe në të ardhmen, pasi këto projekte i shërbejnë të gjithë qytetit dhe qytetarëve të Durrësit. Investimi më i mirë që bëni ju, për veten, por edhe për vendin tuaj është pikërisht mësimi".

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›