Rrëfimet muzikore të Stravinskijt
Mbrojtës i vlerave të traditës dhe kundërshtues i bastardit progres, me keqardhje ai pohon se ka ikur koha kur Bach dhe Vivaldi flisnin të njëjtën gjuhë, nuk janë më kohët, në të cilat Haydni, Mozarti dhe Cimarosa gjenin në veprat e njëri-tjetrit jehona të ndërsjellta, që u shërbenin si model pasuesve të tyre, si Rossini. Për herë të parë shqipe pamfleti muzikor i Igor Stravinskijt
"Ndaj muzikës kemi një detyrim, ta krijojmë"
"Më kujtohet se një herë në kohën e luftës, duke kaluar kufirin francez, një roje i kufirit më pyeti se ç'profesion kisha. Iu përgjigja në mënyrë shumë të natyrshme se isha shpikës muzike.
Roja i kufirit, duke shqyrtuar pasaportën time, më pyeti se përse në të ishte shkruar kompozitor. Iu përgjigja se shprehja shpikës muzike, më dukej se i përgjigjej më saktë mjeshtërisë që ushtroja, se sa ajo që më qe shkruar në dokumentet që më lejonin të kaloja kufirin."*
Një ngjarje e këndshme që kompozitori rus Igor' Fjodorovi Stravinskij (1882-1971) e tregon në katedrën e Poetikës "Charles Elliot Norton", i ftuar për të dhënë 6 leksione për studentët e Harvardit në vitin 1942.
Këto gjashtë rrëfime të gëzuara përpara një "auditori, i cili, së pari, kërkon të dëgjojë e të mësojë dhe pastaj të japë mendimin e tij", vijnë të përmbledhura në formën e një pamfleti muzikor tek "Poetika Muzikore" ("Poétique musicale", 1953), një botim i vitit 2009 nga "Asmus", shqipëruar nga Sokol Shupo.
Stravinskij nuk të bën për vete vetëm me shpjegimin që i bën muzikës së tij dhe kompozitorëve të tjerë, por edhe me gjuhën, stilin e veçantë që e karakterizon në muzikë, si edhe në filozofinë goditëse që përdor për ta na bindur.
Ai nuk kursehet të shpërfaqë përpara studentëve esencën e dijeve të tij muzikore, t'ua bëjë më të lehtë atyre rrugën e krijimit nëpërmjet saktësisë së rregullave dhe ligjeve, fryte të përvojës së tij krijuese, interpretuese dhe dirigjuese.
Fillimisht ai qartëson përcaktimin e gabuar për muzikën e tij si "revolucionare" (përmendim këtu veprat "Petrushka" 1911, "Shenjtërimi i Pranverës" Le Sacre du Printemps,1913 dhe "Bilbli" 1911), një term i varfër për të përcaktuar origjinalitetin.
"Pohoj pra, që jam plotësisht i pandjeshëm ndaj emrit të lartë të revolucionit. E gjithë rrapëllima që ai mund të bëjë nuk zgjon tek unë asnjë jehonë. Sepse revolucioni është një gjë dhe risia është gjë tjetër", thotë ai.
I çliruar nga etiketimi jo korrekt për veprën, Stravinskij flet për rrugën që përshkon Fenomeni Muzikor, duke i dhënë përgjigje pyetjeve: Si lind muzika? Kush e ka aftësinë për t'i vënë tingujt e natyrës në rendin e kohës dhe ritmit? A është frymëzimi nxitësi kryesor për të krijuar?
Përvoja e tij është "zhgënjyese" për ata që ushqejnë mendimin naiv se arti i krijimit ushtrohet në lirinë e plotë të ideve, të perceptimeve të ndryshme mbi ndjesinë, të bukurën dhe gjithçka natyrore që i ofrohet krijuesit të frymëzuar.
Kompozitori i Stravinskijt është një njeri i ngopur me formim muzikor, i ndjeshëm, i uritur për të zbuluar më shumë dhe mbi të gjitha i aftë t'i vendosë ndjesitë e tij në rendin e saktë që përcakton muzika.
"Vetëm njeriu i plotësuar është në gjendje të arrijë tek mundimi i spekulimit të lartë, i cili deri tani duhet të tërheqë vëmendjen tonë. Sepse fenomeni muzikor nuk është gjë tjetër veçse një fenomen spekulimi. Kjo shprehje nuk përmban në vetvete asgjë që të na trembë. Në lidhje me krijimin muzikor, ajo do të thotë një kërkim paraprak, një vullnet, i cili fillimisht lëviz në abstrakt, me qëllim që të formojë një lëndë konkrete".
Një formim i pasur kulturor kërkohet edhe prej ekzekutuesve të muzikës, instrumentistit, këngëtarit, apo edhe dirigjentit. Në sallën e koncerteve shpeshherë janë ata që nuk e përcjellin saktësisht krijimin tek publiku.
Edhe pse publiku ndoshta nuk ka përgatitjen e duhur ku qëndron "faji", ai është i aftë të shijojë. Për këtë arsye, kompozitori rus bën një ndarje të qartë midis "ekzekutuesve" dhe "interpretuesve", të parët të ngurtë në ekzekutimin e saktë, kurse këtyre të fundit u kërkohet edhe më shumë, e drejta për të përftuar përveç saktësisë së këtij përkthimi material, një vetadhurim plot pasion, gjë që nuk do të thotë një bashkëpunim hileqar dhe të paramenduar.
Një aspekt me rëndësi në ligjërimin e Straviskijt është ai mbi "Kompozimin Muzikor", aureola e fshehtë me të cilën ai rrethohet nxit një kureshtjen për gjithkënd. Kur shijojmë veprën e një kompozitori rrallëherë na shkon mendja tek momenti i krijimit, si është ngjizur, mbi cilat etapa ka kaluar derisa është derdhur në nota dhe melodi të gatshme për t'u interpretuar.
"Kompozimi Muzikor" tregon këtë rrugë të vështirë që përshkon një krijues, që kur goditet nga shkëndija e parë e dëshirës, oreksi i mëpastajmë për të zbuluar më shumë e deri tek teknika vigjilente e cila ngelet shoqëruese besnike deri në përfundimin e veprës.
Si çdo krijues tjetër, edhe ai muzikor, kridhet në përhumbjen fillestare që të jep liria e temave, e gjithçkaje që të zë syri dhe shijeve të pafundta estetike. Këtu Stravinskij ndërhyn: "Sa më shumë ta kufizoj fushën time të veprimit dhe ta rrethoj veten me më shumë pengesa, aq më e madhe bëhet liria ime.
Atëherë kur më mungon diçka që të më ndrydhë, më mungon edhe forca. Sa më shumë pengesa dhe kufizime i vë vetes, aq më shumë çlirohem prej zinxhirëve që më çlirojnë shpirtin." Pra, e shohim më shumë mbështetës të "unitetit" sesa të "larmishmërisë", të "Perandorisë së rendit" sesa "Perandorisë së mungesës së ngjashmërisë".
Në katedrën e Poetikës, Stravinskij nuk mund të linte pa përmendur emra kompozitorësh të epokave të mëparshme muzikore, klasikët dhe romantikët, duke ardhur deri tek modernia, tek e cila ai sheh teka individuale, anarki intelektuale dhe artistin si një përbindësh origjinaliteti, shpikës i gjuhës së tij personale, i fjalorit dhe mjeteve të artit të tij.
Modernia për të është koha që zhduk traditën, ku kompozitorët nuk komunikojnë me të njëjtën gjuhë muzikore, nuk kanë stile të përafërta, e për pasojë nuk kanë ç'të trashëgojnë për pasardhësit.
Si mbrojtës i vlerave dhe kundërshtues i bastardit progres, me keqardhje ai pohon se ka ikur koha kur Bach dhe Vivaldi flisnin të njëjtën gjuhë, që nuk janë më kohët, në të cilat Haydni, Mozarti dhe Cimarosa gjenin në veprat e njëri-tjetrit jehona të ndërsjellta, që u shërbenin si model pasuesve të tyre, si Rossini...
Në leksionin e fundit me titull "Rimishërimi i muzikës ruse", Igor' Fjodorovi Stravinskij bën një kalim të shkurtër nga opera folklorike "Zhiznj za Cara" e Glinkas, tek ndërthyrja që i bëjnë muzikës popullore dhe asaj artiske Të Pestët (Balakirjev, Moussorgski, Borodin, Rimski dhe Korsakov) deri tek ndikimi perëndimor i Çajkovskit. Më pas ai trajton muzikën e Rusisë Sovjetike, ose thënë ndryshe muzikën e revolucionit, e ngërthyer në problemet e kohës dhe frymëz ideologjike.
E vetmja muzikë që e kundërshtonte frymën e përgjithshme, ishte ajo e Bethovenit, të cilit iu ngrit një kult revolucionar romantik. Nëpër koncerte, Finali i Simfonisë së Nëntë luhej shpesh së bashku me Internacionalen e kompozuar, siç e dini, nga belgu Degeyeter. Lenini, për arsye të panjohura, e cilësoi muzikën e sonatës Appassionata, si një "muzikë mbinjërëzore".
Rrëfimi i Stravinkskijt mbyllet ashtu siç nisi, me vërtetësinë e të pranuarit të fakteve siç janë. I tillë është edhe pohimi i tij përmbyllës për muzikën ruse të kohës: "Pa dyshim që rusët janë ndër më të talentuarit për muzikë.
Fatkeqësisht, rusi mund ta dijë se arsyeja, përsiatja dhe spekulimi janë pikat e tij të forta. Tani, pa një sistem spekulativ dhe pa pasur një rend të përcaktuar mirë në përsiatje, muzika si art, nuk ka as vlerë, as ekzistencë".