E Shtunë, 31 Tetor 2026

ZMK proteston: Jo rritjes së çmimit të ujit pa transparencë

Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit, kundërshton kërkesën e Entit Rregullator të Ujit, i cili kërkon të rrisë në mënyrë të paligjshme çmimin e ujit në kushtet e mungesës së plotë të transparencës publike duke mos lejuar as të marrin pjesë në proces organizatat e konsumatorëve duke shkelur legjislacionin në fuqi. Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve 

proteston ndaj Entit Rregullator të Ujit për lojën e shëmtuar në kurriz të konsumatorëve shqiptarë për të bërë fakt të kryer rritjen e çmimit të ujit duke mos lejuar organizatat e konsumatorëve që të shprehin pikëpamjet e tyre për rritjen e çmimit dhe cilësinë e shërbimit. Siç dihet, Entet rregullatore në Shqipëri, prej muajsh janë në një krizë transparence dhe po përpiqen që të marrin vendime në favor të kompanive në dëm të interesave të konsumatorëve. Rasti më i fundit është ai i Entit rregullator të Ujit i cili në kundërshtim të plotë me ligjin dhe transparencën publike, nuk lejon organizatat e konsumatorëve në kuptim të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe të legjislacioneve rregullatore që të shprehen në emër të konsumatorëve për rritjen e çmimit të planifikuar të ujit dhe të cilësisë së shërbimit, thuhet në një letër të hapur që ZMK i ka dërguar ERRU. Në këtë letër, ZMK nënvizon se akti më i fundit i mungesës së çuditshme të transparencës ndodhi dje kur në aktivitetin me titullim Transparencë mbi propozimin për ndryshimin e tarifave të shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe grumbullimin dhe largimin të ujërave të ndotura u përjashtuan nga pjesëmarrja Organizatat e Konsumatorëve, me pretendimin krejtësisht absurd se kjo nuk është një çështje që i takon. Nga një anë kjo është në kundërshtim me Ligjin Nr. 8102, date 28.03.1996 (azhornuar me ligjin nr. 9352, date 3.3.2005; Ligjin Nr.9584, date 17.07.2006 dhe Ligjin nr.9915, date 12.05.2008) për Kuadrin Rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura, Nenin 13, pika 1. (f) dhe (g) dhe Nenin 29 pika (2), dhe po është edhe në kundërshtim me Metodika mbi vendosjen e tarifave të ujit për konsum publik (Miratuar me Vendimin e Komisionit të ERRU Nr. 3 datë 8.04.1999). Sipas ZMK, Përfaqësuesit e Entit Rregullator të Ujit duket kanë pasur frikë të realizojnë një proces transparent sepse duket këtu fshihet diçka. Fakti që nuk u pranua të ftohen në seancën dëgjimore, që duhet të ishte e hapur për publikun në bazë të ligjit përkatës sipas Nenit 13, pika g, tregon se këtu ka interesa të caktuara që kërkojnë të përjashtojnë zërin e konsumatorëve. Pyetjes së bërë në sallë se pse nuk u ftuan organizatat e konsumatorëve, drejtuesi i seancës i është përgjigjur në mënyrën më absurde dhe komike se është një rritje e lehtë e çmimit dhe Tirana ka tarifën më të ulët! ZMK siguron se do të provojë në zbatim të Ligjit 8102, Neni 29, pika 2, të kërkojë realizimin e një seance dëgjimore ku të shprehen pikëpamjet e konsumatorëve dhe ku të bëhen publikë dokumentet që janë përdorur për aplikimin për ndryshimin e tarifave dhe të cilësisë së shërbimit pasi deri më tani këto dokumente janë mbajtur sekret.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›