Jetojmë më keq se gjinkallat
Është komode të shkruash rubrikën nga një apartament i ngrohtë, dhe e sikletshme të flasësh për përmbytjet e të bësh moral si duhet bërë kjo apo ajo. Pavarësisht këtij sikleti, s’rri dot pa thënë që kemi bërë një vend si një “shtëpi të çmendurish”, ku askush nuk mendon për një ditë të vështirë, siç e ka për detyrë ta bëjë një kryefamiljar i mirë. Vitet e fundit, ne shqiptarët po jetojmë me moton: Të hamë sot për sot, të marrim ç’të marrim, sikur të ishte dita jonë e fundit. E ndërmarrë individualisht, nuk do të ishte një filozofi për t’u sharë: të jetosh sot për sot, ka një qëllim dhe përgjegjësi personale. Kjo, derisa je vetëm, singel, siç thonë në Perëndim. Me t’u martuar, e sidomos me të bërë fëmijë, projekti ndryshon; më shumë se si një gjinkallë, është mirë të jetosh si milingonë, duke bërë shumë punë e duke vënë diçka mënjanë. Lëre pastaj kur merr përsipër të drejtosh një shtet, një Qeveri, ku pasojat e filozofisë së të jetuarit si gjinkallë i vuajnë më të varfrit dhe të brishtët. Shpresoj të mos jetë e vërtetë ajo që deri tani shqetëson armatën e mësuesve shqiptarë, të cilët, indirekt ngacmohen të japin “vullnetarisht” kontributin e tyre për të përmbyturit në Shkodër, sepse kjo do të ishte dyfish e rëndë për qeverinë: jo vetëm s’ka grumbulluar parà të mjaftueshme për të kaluar emergjencat, por, me mënyrat më të shëmtuara të qeverisjes së Shqipërisë para viteve ’90, pretendon në solidaritetin “vullnetar” të buxhetorëve me të ardhura më të vogla. Njësoj si në fabulën e gjinkallës dhe milingonës, kur e para këndoi e u dëfrye gjatë gjithë verës, në dimër e të ftohtë i lutej milingonës për ndonjë thërrime ushqim. Por nuk mbaron këtu, sepse ekzistenca jonë nuk është tamam si ajo e gjinkallës, që mjaftohet të këndojë mbi një degë në zheg të vapës. Ne, shqiptarët e viteve 2000, kemi shkatërruar si askush tjetër tokën, ato 28 mijë kilometra katrorë plot male, pyje, lumenj, liqene e bregdete. Ç’nuk premë e ç’nuk gërryem, ç’nuk ndotëm e ç’nuk konsumuam e çfarë të presim atëherë si shkëmbim?
Këto ditë u hap në Tiranë sinagoga e parë e komunitetit hebre. Komunitet i vogël në Shqipëri, por i lidhur fort nga një respekt reciprok me shqiptarët në vite. Çfarë do të doja të mësonim ne shqiptarët prej tyre? Të respektojmë Shqipërinë. Izraeli shtrihet në të njëjtat metra katrorë: është plot 28 mijë kilometra katrorë sipërfaqja e tij, si e Shqipërisë, sipërfaqe e një toke që ofron shumë pak në pjellori, pasuri, por izraelitët, ata që shtetin e tyre e kanë dëshiruar në dimensione e kohë biblike, e mbajnë në pëllëmbë të dorës. Ja, këtë do të doja të mësonim në thellimin e marrëdhënieve mes dy popujve: respektin ndaj vendit dhe filozofinë e milingonës.
(BalkanWeb)