Krishtlindjet, shqiptarët prenotojnë festat në Europë
Ditët e fundit në telefonat celularë, në e-mail-et personale, por edhe nëpërmjet spoteve, reklamave e mesazheve promocionale, një pjesë e mirë e agjencive turistike njoftojnë për oferta.
Çmimet nisin nga 200 euro e deri mbi 1 mijë euro, për një fundjavë, një javë apo edhe për disa ditë pushimi, vizitash e organizimesh në qytetet më të njohura evropiane, por edhe në rajon. Për Maqedoni ose Mal të Zi ofertat nisin nga një çmim dysheme prej 200 eurosh. Ndërkohë që në Pragë, Vjenë, Paris, Itali, Greqi, Kroaci çmimet janë më të shtrenjta. Turqia, Egjipti, por edhe vende të tjera si Izraeli nuk mbeten më pas me oferta e paketa turistike. Çmimi për të gjithë ndryshon jo vetëm nga vendi, por edhe nga yjet e hotelit. Po ashtu nëse paketa ka një çmim të shtrenjtë apo të lirë vendoset edhe nga shërbimet që ofrohen. Në rastet kur kemi udhëtim akomodim dhe shërbim shoqërimi, atëherë çmimi është më i lirë, se në rastet kur ofrohet edhe mëngjesi apo vakte të tjera të përfshira. Po ashtu, pjesë e paketave turistike janë edhe udhëtimet, vizitat, apo zgjedhjet alternative për ekskursione me autobusë apo veturë.
Nga ana tjetër, agjencitë turistike këtë vit parashikohet të kenë edhe më shumë përfitime, pasi çmimet janë edhe më të larta se vitet e kaluara, kjo edhe për shkak të rritjes së kërkesës.
Grupe të rinjsh kanë zgjedhur kryesisht të kalojnë festën e krishtlindjeve por edhe fundvitin në vende si Italia, Austria por edhe Praga. Prentotime të tjera nga familjarë janë bërë kryesisht në vendet me dëborë si në Kolashin. Ofertat e sezonit nuk kanë munguar edhe për vende më të shtrenjta si Moska apo Karaibet, si dhe për qytete turistike si Barcelona e Madridi. Madje, një pjesë e mirë e agjencive me traditë tashmë në tregun e turizmit kanë mundësuar edhe nisje me çarter me çmime pak më të ulëta se konkurrentët e tjerë në “merkato”.
Sakaq, nuk mungojnë në treg edhe ofertat brenda Shqipërisë, por nga të dhëna paraprake të prenotimeve në ditët e para të dhjetorit, rezulton se pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë vendosur që të kalojnë Krishtlindjet e vitit 2010 në vendet europiane. Pasaportat biometrike, por edhe lajmi i mirë i liberalizimit të vizave në zonën shengen janë bërë “ushqimi” kryesor i burimeve të fitimit për agjencitë turistike, ndërkohë që kanë sjellë edhe shumë kënaqësi për një pjesë të mirë të shqiptarëve që nuk vizatuan dot Europën deri më 2010.
Rrugë më të gjatë e të lodhshme “administrative” do të bëjnë ata që do të klikojnë vetë internetin, por do të fitojnë më shumë para për vete e do të shpenzojnë më pak për prenotime. Kërkuesit e sajteve në internet mund të gjejnë oferta edhe më të lira nga vendet fqinje, si dhe mund të bëjnë vetë biletën online. Sigurisht, këtu nevojitet minimalisht një llogari rrjedhëse bankare, me një viza ose mastercard.