Jo Sistemit të Bolonjës

Vendimi i senatit të Politeknikut për ti kaluar me Sistemin e Bolonjës të gjithë studentët që nuk i marrin provimet deri vitin tjetër, ka hasur në kundërshtimin e këtyre të fundit, të cilët kërcënojnë me protesta
TIRANË - Vendimi për kalimin nga sistemi i vjetër në atë të Bolonjës është i papranueshëm nga studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës. Sipas këtij vendimi të senatit të Politeknikut, studentët që nuk i mbyllin provimet deri në vitin e ardhshëm shkollor, kalojnë direkt në Sistemin e Bolonjës. Me qëllim për ta ndryshuar këtë vendim, studentët e Politeknikut kanë filluar dje mbledhjen e firmave të studentëve të vitit të fundit. Përfaqësuesit e qeverisë studentore u shprehën se, “deri tani janë mbledhur të gjitha firmat e studentëve të Politeknikut, ndërsa kemi filluar të mbledhim edhe firmat e studentëve në fakultetin e Inxhinierisë”. Pas mbledhjes së firmave, studentët u shprehën se do t’i paraqesin rektoratit, dekanit dhe senatit të Politeknikut kërkesën e tyre për ndryshimin e këtij vendimi. Ata kërcënuan gjithashtu me grevë, në qoftë se kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh. Pas mbledhjes së firmave dhe paraqitjes së kërkesës së tyre rektorit të UPT-së, Jorgaq Kaçanit, studentët u shprehën se ky i fundit u shpreh pozitivisht lidhur me kërkesën e tyre. “Pas njohjes me kërkesat tona, rektori na siguroi se vendimi që kishte marrë senati lidhur me kalimin në Sistemin e Bolonjës të studentëve që nuk i merrnin provimet deri në vitin e ardhshëm akademik, nuk do të miratohet”, thanë disa nga përfaqësuesit e qeverisë studentore. Megjithatë, ata u shprehën se kjo akoma nuk është e sigurt, pasi nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Studentët i fakulteteve të UPT-së theksuan se vendimi për dhënien e provimeve deri vitin tjetër akademik nuk është i drejtë, ndaj njëra prej kërkesave të tyre ishte shtyrja edhe një vit e afatit të përcaktuar në vendim. Një kërkesë tjetër është shtyrja e sezonit, pasi sipas tyre, është e vështirë t’i japësh provimet e mbartura për dy apo tre sezone, sepse ka studentë që kanë më shumë se 10 provime të mbartura. Sipas vendimit të senatit, mosplotësimi i provimeve deri vitin e ardhshëm akademik do të thotë kalim në Sistemin e Bolonjës, gjë e cila nuk është e pranueshme nga studentët. Sipas tyre, kalimi në Sistemin e Bolonjës është diçka negative, pasi kjo do të thotë edhe një vit më shumë shkollë. Përveç kësaj, studentët shprehen se kalimi në sistemin e ri do të thotë shtim të provimeve të tjera që parashikohen në Sistemin e Bolonjës.