Ministria fsheh projektligjin

Besnik Bakiu, kreu i Organizatës së Punonjësve të Policisë në Lirim, e konsideron të paligjshme përpjekjen e qeverisë për uljen e trajtimit financiar
“Ligjërisht nuk munden ta bëjnë, por në këtë vend ku ligji shkelet me të dyja këmbët nga ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë dhe ta zbatojnë atë, asgjë nuk të çudit më”. Kreu i Organizatës së Punonjësve të Policisë në Lirim ka reaguar ashpër dje pas publikimit të lajmit, se qeveria ka parashikuar shkurtimin e trajtimit financiar për policët e dalë në reformë. Besnik Bakiu është shprehur për “Korrierin”, se çdo hap që do të ndërmerret në këtë drejtim është antikushtetues, pasi asnjë ligj nuk mund të ketë fuqi prapavepruese dhe rrjedhimisht punonjësit e policisë që kanë dalë tashmë në reformë, nuk mund të preken nga një lëvizje e tillë. Sipas tij, ata duhet të marrin deri në fund pagesat dhe trajtimin financiar që u njeh ligji i miratuar në vitin 2000. Të gjithë ndryshimet e mundshme në kuadrin ligjor për këtë çështje do të mund të kenë efekt vetëm për punonjësit që do të dalin në reformë pas miratimit të projektligjit dhe jo për ata që tashmë janë nxjerrë të papunë.
“Sapo jam njohur me lajmin për përgatitjen e një projektligji të tillë, kam nisur kontaktet zyrtare për të siguruar një kopje të draftit, në mënyrë që si organizatë, të mund të jemi më konkretë në mendimet tona. Por deri tani ende nuk na është vënë në dispozicion një material i tillë”, tha Bakiu në linjë telefonike. Sipas informacioneve të “Korrierit”, edhe punonjës të tjerë të cilët kanë dalë në reformë gjatë viteve të fundit janë interesuar pranë Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë lidhur me këtë projektligj, por nuk kanë mundur të njihen me draftin, i cili nëse miratohet ashtu siç është parashikuar, u rrezikon në mënyrë të drejtpërdrejtë trajtimin e tyre financiar. Ndërkohë, hije të forta dyshimi hidhen edhe mbi arsyet e paraqitura nga qeveria për përgatitjen e projektligjit. Sipas Besnik Bakiut, e gjitha kjo është një lëvizje e mazhorancës për t’u bërë presion ish-punonjësve të policisë, pjesa më e madhe e të cilëve janë larguar nga detyra si pasojë e lëvizjeve politike dhe jo për shkaqe të vërteta profesionale.
Burime të “Korrierit” thanë se projektligji që po përgatitet nga qeveria për trajtimin e punonjësve të policisë të dalë në reformë ka ngjallur reagime negative edhe brenda radhëve të atyre që janë ende në detyrë. Nisur nga fakti se viti në vazhdim është një vit elektoral, mendohet se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, kupola drejtuese e Ministrisë së Brendshme dhe e Policisë së Shtetit mund të ndryshojë. E në këtë rast, edhe për shkak të mungesës së një ligji për karrierën, një tjetër raund reformash mund të nxjerrë të papunë edhe ata që sot gëzojnë pozita të mira në polici. Shkurtimi i përfitimeve aktuale që merren në rast të daljes në reformë, i ka bërë të ndihen keq dhe madje të kundërshtojnë nën zë këtë projektligj edhe mjaft nga oficerët që punojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.