E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ta lëmë pas të shkuarën

Shefja e diplomacisë greke flet mbi marrëdhëniet e Greqisë në Ballkan

Lumi nuk mund të ndryshojë dot rrjedhën e tij. Me këto fjalë, shefja e diplomacisë greke ka pohuar se Greqia, pavarësisht se nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, do t’i duhet të pranojë realitetin, pra faktin se Kosova është një shtet i  pavarur. Në një intervistë për “Vizion Plus”, ajo u shpreh se Greqia do ta njohë së shpejti pavarësinë e Kosovës, por duke mos dhënë një datë për vendimin e Athinës zyrtare. Në intervistë ajo flet për marrëdhëniet dhe problemet mes Shqipërisë e Greqisë, emigracionin e jashtëligjshëm të shqiptarëve atje dhe çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë. Sipas saj, parlamenti grek pritet që brenda pak ditësh të ratifikojë MSA-në e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, pasi Greqia beson se progresi i Shqipërisë për në BE është i dukshëm dhe e mbështet atë.

-Zonja ministre, në një marrëdhënie miq-rivalë mes vendeve të Ballkanit, si do t’i përkufizoni marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë, me Kosovën, me Maqedoninë dhe me Serbinë?

“Ashtu siç dihet, Greqia ka marrëdhënie shumë të mira me fqinjët. Më lejo ta nis me Shqipërinë. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera, po punojmë së bashku. Kemi një urë të madhe që na lidh, që janë emigrantët shqiptarë, të cilët shkojnë e vijnë në Greqi dhe në Shqipëri. Kam pasur kënaqësinë të bashkëpunoj me ta kur isha në krye të Bashkisë së Athinës. Marrëdhëniet tona ekonomike janë shumë të mira dhe do të vazhdojmë t’i forcojmë edhe më shumë. Greqia beson se progresi i Shqipërisë për në BE është i dukshëm dhe ne e mbështesim atë. Me Maqedoninë marrëdhëniet ekonomike janë të mira, marrëdhëniet mes njerëzve janë gjithashtu të mira. Ne kemi mosmarrëveshje për emrin. Ajo që duam ne, është të lëmë mënjanë të shkuarën dhe të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësie, duke lënë problemet e vjetra mënjanë. Emri është një nga këto probleme. Jemi në negociata me OKB-në. Ne shpresojmë të arrijmë një marrëveshje dhe të kemi një emër të gjithëpranueshëm, që do të na lejojë të ndërtojmë marrëdhënie në baza të reja.

Problemi i Kosovës është një nga problemet më të vjetra të Ballkanit. Ne nuk e njohim pavarësinë e saj bazuar në principin e integritetit territorial, por nga ana tjetër, ne e dimë që lumi s’mund ta ndryshojë rrjedhën e tij. Ne kemi marrëdhënie me Kosovën, kemi hapur një zyrë aty dhe po punojmë për marrëdhënie mes njerëzve. Me Serbinë kemi prej kohësh marrëdhënie të shkëlqyera. Ne e mbështesim fuqishëm anëtarësimin e saj në BE dhe shpresojmë se vitet e fundit është bërë përparim atje, çka do ta lejojë atë të afrohet në BE”.

-Nëse u referohemi këtyre marrëdhënieve shumë të mira midis Shqipërisë dhe Greqisë, a janë këto dy vende të barabartë në të drejtat dhe detyrimet që kanë ndaj njëri-tjetrit?

“Sigurisht që ne jemi të barabartë. Mendoj se njerëzit e thjeshtë në Shqipëri duan të kenë marrëdhënie të mira me Greqinë, po kështu edhe njerëzit këtu. Ne jemi fqinjë, po punojmë bashkë dhe vazhdojmë të investojmë. Për ne është e rëndësishme që Shqipëria ka një demokraci të fortë, që po bën përpara në Bashkimin Evropian, ndaj dhe unë personalisht e kam mbështetur këtë gjë që në fillim edhe për NATO-n, pa pasur asnjë lloj dyshimi”.

-Ju thoni që kemi marrëdhënie shumë të mira, por parlamenti grek ende nuk e ka ratifikuar MSA-në e Shqipërisë me BE-në. A do ta bëni këtë dhe kur?

“Patjetër, ajo është në parlament dhe do të ratifikohet sigurisht. Datën s’di ta them, por ne ia kemi dërguar parlamentit. Është çështje ditësh”.

-A janë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, të sigurt për jetën që ata kanë ndërtuar atje, apo fati i  tyre varet nga marrëdhëniet që do të jenë në vazhdimësi mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Më lër ta nis përgjigjen time nga fundi i pyetjes suaj. Asgjë nuk ka për të ndryshuar në marrëdhënie midis Shqipërinë dhe Greqisë. Mendoj se është vullnet i të dy vendeve të kemi marrëdhëniet më të mira të mundshme dhe po punojmë për këtë. Nga ana tjetër, të gjithë emigrantët e rregullt që janë në Greqi, janë plotësisht të sigurt. Ata kontribuojnë për ekonominë tonë dhe kanë të gjithë të drejtat si në çdo vend tjetër të BE-së dhe për sigurinë e tyre s’ka asnjë lloj dyshimi”.

 -A vazhdon të jetë problem shqetësues për ju emigracioni ilegal nga Shqipëria, apo kufijtë mes nesh janë më të sigurt se më parë?

“Unë mendoj se kufijtë janë më të sigurt se më parë, por gjithsesi ne vazhdojmë ta kemi shumë problem çështjen e emigracionit ilegal. Është një problem i  madh për Greqinë. Ne jemi kufijtë e Evropës, është normale që për çështje ekonomike emigrantë nga e gjithë bota të duan të vijnë në Evropa dhe ne kemi përgjegjësi për këta kufij. Ne kemi bashkëpunim të mirë me qeverinë shqiptare, po mundohemi nga të dyja anët e kufirit dhe kemi firmosur shumë marrëveshje. Ne duam kufij të sigurt dhe njerëzit që vijnë të jenë të rregullt me të gjithë dokumentet, pasi kjo është e rëndësishme edhe për ta”.

-Deklarata ka pasur shumë për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, por a janë të vërteta këto, apo ende nuk janë një realitet për Shqipërinë? 

“Nuk është çështje deklaratash, është çështje e vullnetit politik të BE-së. Greqia është pjesë e marrëveshjes “Shengen” dhe ne kemi të njëjtën politikë për vizat. Greqi e mbështeste liberalizimin e vizave, por nuk varet vetëm nga ne, varet edhe nga vullneti i të gjithë BE-së. Ne shpresojmë që t’u shkohet deri në fund këtyre vendimeve që janë marrë”.

-Ka disa çështje të mbetura pezull mes dy vendeve tona, të cilat megjithëse të vjetra në kohë, mbeten po kaq aktuale edhe tani, si për shembull pronat e shqiptarëve në Greqi, ndërtimi i varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri etj. A ka ardhur koha të diskutohen këto çështje, apo ato ende do të mbajnë peng politikën e jashtme mes nesh?

“Unë shpresoj që këto çështje të mos mbajnë peng politikën e jashtme mes dy vendeve. Varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri janë një çështje e të drejtave të njeriut. Shqipëria është një demokraci. Shqipëria e di shumë mirë sesa e rëndësishme është për njerëzit që kanë rënë në vende të huaja të kenë një varrezë, ku të afërmit e tyre të shkojnë dhe të luten. Kjo është një nga të drejtat më kryesore në të gjithë botën. Edhe Greqia ka ndërtuar varreza për ushtarët e huaj që kanë rënë këtu, qofshin këta anglezë, francezë etj. Të gjithë njerëzit në të gjithë botën që kanë rënë në Greqi ne i nderojmë dhe i respektojmë. Jam e sigurt dhe mendoj se qeveria shqiptare, por edhe njerëzit e thjeshtë e kuptojnë sa e rëndësishme është kjo dhe jam e sigurt që do të zgjidhet shpjet. Është diskutuar edhe me qeverinë shqiptare, unë iu kam bërë me dije këtë gjë dhe të gjithë liderët në Shqipëri e njohin këtë problem humanitar dhe aq më tepër që Shqipëria, duke qenë se aspiron për në BE, duhet ta zgjidhë sa më shpejt një çështje të tillë”.  

-I rikthehemi edhe njëherë Kosovës. A e pranoni ju realitetin e ri që ka krijuar në Ballkan pavarësia e saj? A do ta njihni pavarësinë dhe kur?

“U përgjigja që në fillim: nuk e di se çfarë do të ndodhë më vonë. Di të them që ne nuk e njohim aktualisht Kosovën, por do ta njohim së shpejti”.

-Maqedonia, pika më e nxehtë e politikës së jashtme greke. Pse tani kjo çështje është ngritur në këtë pikë dhe jo më parë? 

“Ky problem ka qenë gjithmonë që në fillesat e para të pavarësisë, në 1992-shin. Kjo është një republikë e rëndësishme në rajon, ndaj ne jemi investitorët më të mëdhenj, kemi krijuar 25 mijë vende pune. Duhet të lëmë mënjanë idetë e së shkuarës. Maqedonia është një vend me shtrirje të madhe gjeografike, 51 për qind e saj i përket Greqisë, një pjesë Bullgarisë, kështu që të mbash një emër që praktikisht quhet Maqedoni, do të thotë të implikosh të gjithë rajonin. Do të gjejmë një emër që të tregojë qartë se po flasim për një frymë për këtë vend dhe këtë demokraci të re. Ne e kemi ndryshuar pozicionin tonë, ku nëse më parë nuk donin të përfshihej fare emri Maqedoni, tani ne duam një emër që të bëjë të qartë se po flasim për atë vend dhe jo për të gjithë Maqedoninë”.

-Cili do të ishte emri më i përshtatshëm për ju? Jo Maqedoni, por çfarë...?

“Emri duhet patjetër të bëjë të qartë që nuk kemi të bëjmë me të gjithë Maqedoninë. Maqedonia nuk është vetëm aq, ky problem duhet zgjidhur patjetër, por ne s’mund ta bëjmë vetëm këtë gjë. Besoj se qeveria e Shkupit do ta kuptojë që ne duam marrëdhënie të mira, të jemi miq, ndaj duam ta zgjidhim këtë çështje”.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›