E Diel, 1 Nëntor 2026

Jo hetim te akuzave te Dick Martin. KS rrezon kerkesen serbe

Beogradi dhe Prishtina konfirmuan sërish qëndrimet  katërcipërisht të kundërta rreth pavarësisë së Kosovës dhe zhvillimeve në vend gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, përshkroi gjendjen në Kosovë si të zymtë, ndërsa homologu i tij, Enver Hoxhaj, u përqendrua në nevojën për dialog mes dy vendeve.

Jeremiç, pohoi sërish qëndrimin e qeverisë së tij ndaj pavarësisë së Kosovës, duke thënë se kushtetuta e Serbisë e kundërshton një gjë të tillë e foli për një krizë politike në Kosovë që u shënua me zgjedhjen e dy presidentëve brenda vetëm dy muajsh ndërsa theksoi dhe problemin e krimit të organizuar duke sjellë sërish në vëmendje raportin e Këshillit të Evropës për trafik organesh. Ai përsëriti një kërkesë të qeverisë serbe që Këshilli i Sigurimit të ngrejë një komision hetimor për këtë çështje, duke thënë se përgjegjësia nuk mund t’i lihet Misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë.

Ndërsa Kreu i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Xanier, theksoi se UNMIK-u është i gatshëm të bashkëpunojë në hetime të mundshme.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se qeveria e tij mbështetet tek EULEX-i për forcimin e sundimit të ligjit, përfshirë këtu edhe hetimet rreth deklaratave të senatorit zviceran Dik Marti. Hoxhaj vlerësoi rolin e Kombeve të Bashkuara në ecurinë e shtetndërtimit, ndërsa theksoi se pavarësia e Kosovës “ka prodhuar paqe, stabilitet dhe siguri në rajon”.

“Qeveria dhe populli i Kosovës janë lodhur nga konflikti dhe propaganda. Ne duam të vështrojmë përpara dhe të angazhohemi në një proces të pajtimit me Serbinë” citohet të ketë thënë ministri  Hoxhaj që shtoi se të dy vendet duhet të bashkëpunojnë si partnerë të barabartë, ndërsa ecin drejt Bashkimit Evropian.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›