E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo mbulimit të grave në publik

Francë Asambleja Kombëtare ka votuar pro projektligjit që ndalon burkën në vendet publike

Parlamenti francez ka aprovuar me shumicë votash projektligjin që synon të ndalojë përdorimin e shamive islamike që mbulojë pjesërisht apo tërësisht fytyrën në publik. Mbi këtë vendim, prej kohësh ishte hapur në vend një debat i ashpër me pozicionime kundër, që vinin kryesisht nga juristët dhe komunitetet myslimane që e vinin theksin te liria e fesë, ku përfshihet edhe veshja. Në votimin e kryer në Asamblenë Kombëtare, partia e mazhorancës së djathtë (UMP) dhe centristët e qendrës së re votuan pro ligjit për ndalimin e shamisë. Ndërsa socialistët dhe komunistët nuk morën pjesë fare në votim. Po ashtu munguan edhe të gjelbrit, edhe pse kishin deklaruar se do të votonin kundër. I vetmi që votoi pro ishte anëtari i Partisë Komuniste, Andre Gerin, njëkohësisht president i Komisionit të Hetimit mbi Veshjet Islamike. Ndërkohë që projektligji për ndalimin e burkës dhe niqabit pritet të kalojë në senat në muajin shtator. Raporti i votuar dje, i prezantuar nga ministri i Drejtësisë, Michele Alliot-Marie, ndalon veshjet islamike në vendet publike. Burrat që detyrojnë gratë të vënë shami do të dënohen deri në një vit burg apo do të gjobiten me një shumë që shkon deri në 15 000 euro. Raporti rreth 200 faqesh i këtij komiteti ka propozuar ndalimin e përdorimit të shamisë nëpër spitale, shkolla, zyra të qeverisë dhe në transportin publik. Ai gjithashtu rekomandon se të gjithë ata që shfaqin shenja të qarta të praktikave radikale fetare, nuk duhet të marrin dokumentet e qytetarisë, apo lejet e qëndrimit në Francë. Sipas Ministrisë së Brendshme në Francë, rreth 1900 gra myslimane mbajnë një veshje kokë e këmbë të mbuluara. Në raport kërkohet që gratë, të cilat mbulojnë kokën janë në kundërshtim me parimet e sekularizmit të Republikës Franceze, si dhe ato të barazisë. “Veshja e një shamie që e mbulon femrën nga koka te këmbët është e papranueshme. Ne duhet që ta dënojmë këtë akses”, thuhej në raport.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›