Në pranga Farku Gashi, hetohet për krime lufte
Departamenti ekzekutiv i Policisë së EULEX-it, dje në Prishtinë ka arrestuar një person lidhur me rastin Bllaca, i cili po vazhdon të hetohet. Në njoftimin për media, EULEX-i thotë se personi është i dyshuar për vrasje pas luftës, të kryera në qershor të vitit 1999 në Komunën e Lipjanit. Hetimet po zhvillohen nga ana e Policisë së EULEX-it nën mbikëqyrje të Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës. Personi i arrestuar lidhur me rastin Bllaca, është Faruk Gashi, një biznesmen nga Shtimja. Ndërsa në njoftimin e EULEX-it nuk jepej identiteti i tij, por vetëm thuhej se personi i arrestuar është i dyshuar për vrasje pas luftës, të kryera në qershor të vitit 1999 në Komunën e Lipjanit. Emri i tij është lakuar për vrasje gjatë hetimeve ndaj Nazim Bllacës. Ndërkaq, në rastin e arrestimit të një këshilltari politik në Ministrinë e Shëndetësisë, zëdhënësi i kësaj ministrie ka konfirmuar se bëhet fjalë për Ilir Tolajn, këshilltar politik i ministrit Bujar Bukoshi.
#