Votohet buxheti, rrëzohen kërkesat e PS-së
Komisioni i Ekonomisë miraton uljen e buxhetit me 39 miliardë lekë, duke mos marrë në konsideratë kërkesën e opozitës, e cila e kushtëzoi votën me informacionet shtesë rreth programit. “Nuk mund të votojmë për një projekt që nuk ka të dhëna se çfarë është. Kemi kërkuar tabelat me shpenzimet e reduktuara për sektorin rrugor dhe për investimet në tërësi, kemi kërkuar hartimin e një kalendari mbi zhvillimin e seancave dëgjimore me disa institucione etj. Asnjë nga këto pika nuk u mor në konsideratë”, tha zv/kryetarja e komisionit, deputetja e PS-së, Mimi Kodheli. Ajo sqaroi pozicionin e PS-së lidhur tërheqjen nga komisioni. “Nuk është braktisje e votimit apo e mbledhjes, por thjesht një veprim si reagim i mungesës së të dhënave që sqarojnë situatën ekonomike”, tha Kodheli.
Debati në komision u përqendrua në sektorin e rrugëve, të cilit do t’i shkurtohen rreth 6 miliardë lekë. Por edhe në këtë pikë socialistët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët me mazhorancën. Ata kishin kërkuar dy ditë më parë listën me projektet që do të financohen nga buxheti i ri, por përgjigjja e Drejtorisë së Rrugëve dhe Ministrisë së Financave ishte negative. Sa i takon kostos së financimit të rrugës Rrëshen-Kalimash, nëndrejtori i përgjithshëm i rrugëve nuk ishte në gjendje të kthente përgjigje të saktë, me pretekstin se nuk ishte kompetencë e tij.
Nga ana tjetër, opozita vijon të insistojë për të thërritur në komision guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dhe drejtuesen e INSTAT-it, për të dhënë sqarime rreth situatës ekonomike me rishikimin e buxhetit. Për këtë çështje pati replika mes deputetit socialist, Erjon Braçe, dhe demokratit Selami Xhepa. Ky i fundit tha se këto dy institucione nuk varen nga Ministria e Financave, pra janë të pavarura dhe nuk lidhen me buxhetin.
Po ashtu, përfaqësuesit e opozitës në komision kërkuan nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave të pranishëm në mbledhje të dhëna të detajuara në lidhje me zërat e buxhetit, metodologjinë e llogaritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto, metodologjinë e ndjekur për llogaritjen e borxhit dhe planin konkret të parashikuar për uljen e tij etj. Por, përfaqësuesit e mazhorancës u shprehën se tashmë shpjegimet për këto çështje janë ezauruar nga ministri i Financave.
Shkurtimet e buxhetit kanë prekur edhe shpenzimet sociale, ato që qeveria jep për të ndihmuar shtresat në nevojë. Drafti i ri i ul fondet për mbrojtjen sociale me 1 miliard lekë, ose 10 milionë dollarë krahasuar me buxhetin e fillimvitit. Ulja më e madhe vjen si pasojë e shkurtimit të fondit për kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Qeveria thotë se fondi ishte parashikuar më shumë nga sa duhej në fillim të vitit.
“Fondi ishte parashikuar në tetor të vitit të kaluar, kur është hartuar buxheti, por rritja e çmimit të energjisë u bë në janar nga enti”, thotë Mimoza Dhëmbi, drejtoreshë e buxhetit. Debatet për buxhetin në Komisionin e Ekonomisë nuk janë përqendruar vetëm në çështje të veçanta. Pika më e nxehtë mbetet ajo e transparencës së ndryshimeve, ku opozita ka ripërsëritur kërkesën e saj për më shumë informacion. Në fund Komisioni i Ekonomisë e ka miratuar parimisht buxhetin vetëm me votat e shumicës.
#