E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo me listë të përbashkët

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Nenad Rashiq, ka thënë se qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë e kanë kuptuar se nuk është gjithçka siç shihet nga sytë e Beogradit. Sipas tij, ata e kanë kuptuar realitetin se si duhet të jetohet dhe veprohet në Kosovë.

Rashiq e ka quajtur të papranueshme idenë e Serbisë që serbët në Kosovë të garojnë me një listë të përbashkët zgjedhore. “Kjo ide nuk është e mirë sepse nuk e reflekton realitetin dhe nuk është demokratike”, ka thënë Rashiq. Ai është shprehur se normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë i lehtë, por ka bërë të qartë se për herë të parë këto dy shtete kanë arritur një marrëveshje historike.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka thënë se pas largimit nga Partia Liberale Serbe (SLS) në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të garojë si iniciativë qytetare. Në intervistën për “Epokën e re” ai ka shprehur optimizëm se me këtë iniciativë qytetare do t’i fitojë disa prej komunave me shumicë serbe. Rashiq ka thënë se në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do ta kërkojë votën edhe në veri të Kosovës. Në këtë kontekst, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, ministri Rashiq ka bërë me dije se së bashku me grupin parlamentar Ardhmëria e Përbashkët do ta themelojnë një parti të re politike serbe. “Partinë, sipas të gjitha gjasave, do ta themelojmë pas zgjedhjeve lokale”, ka thënë Rashiq./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›