E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Jo survejim në zgjedhje”, Rama: Shpresoj të jetë lajthitje momentale e SPAK. Nuk mund të cenohen të drejtat politike

Kryeministri Edi Rama e ka quajtur lajthitje te momentit, strategjinë E Spak për të monitoruar në terren përmes disa prokurorëve, zgjedhjet e 11 majit.

Në rubrikën “Sy m’sy”, Rama tha se është e papranueshme që partitë të survejohen në një proces elektoral, ndaj secila nga palët duhet të ruajë pozicionin e vet.

“Nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Unë uroj që kjo do të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdolloj survejimi në territor sepse nuk mundet dot kurrën e kurrës që ne të kthehemi në kohëra kaq të errëta saqë kush merret me politikë të survejohet. Përpjekja e përbashkët për të luftuar dhe për krimet elektorale bëhet secili në pozicionin e vet kushtetues dhe në llogoren e vet. Dalja nga këto pozicione është ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të shqiptareve dhe të përfaqësuesve të tyre”, tha Rama.

Por kritikat ndaj SPAK, Rama, nuk i pati vetëm për zgjedhjet, por edhe për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

“Të dyja bashkë, dhe kur them shumë, dhe një rast i vetëm  kur shkatërrohet dinjiteti dhe shkatërrohet jeta e një njeriu për budallallëk profesional se nuk them se ka qëllime të këqija se larg qoftë, është shumë. Dhe nga ana tjetër, respektimi i standardeve demokratike i një drejtësie europiane që nuk mund të justifikojë qasje dhe metoda të sigurimit të shtetit është një tjetër betejë për t’u bërë, por ama në mënyrë konstruktive”, shtoi kryebashkiaku.

Kryeministri tha më tej se ai është i bindur që në 11 maj Partia Socialiste do të marrë një fitore të pashembullt.

“Do ta tundim dhe do kemi një fitore spektakolare edhe do t’i japim një mësim shembullor shumëkujt. Shumëkujt do t’i japim një mësim shembullor, por gjithmonë jo për të marrë hak me askënd, po për të bërë një Shqipëri më të mirë dhe për ta çuar atë flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit atje në rreshtin e 27 vendeve”, tha Rama.

Megjithatë Rama la të kuptohet  se mund të largohet nga Partia Socialiste, pas vitit 2030, vit pas të cilit ai konsideron fakt të kryer integrimin e Shqipërisë në BE.

“Ndaj jini të sigurt që drejtësi që i shërben pushteti të radhës nuk do të ketë sa kohë që PS do të jetë në pushtet, me mua në krye, ose pas 2030 me këdo tjetër që do të marrë stafetën, kur ne të jemi anëtarë të BE, kur ne ta kemi vënë në tryezë fiksimin tim Albania”, deklaroi Edi Rama.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›