Jo uzurpimit

Valentina Leskaj tha dje, se çështja e heqjes së imunitetit lidhet me pavarësinë e institucioneve. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së sqaroi se socialistët nuk janë shprehur asnjëherë kundër kësaj çështjeje, madje kanë dhënë edhe opcionet e tyre. “Çështja e imunitetit duhet të jetë e lidhur edhe me forcimin e pavarësisë së institucioneve të pavarura, në radhë të parë të prokurorisë dhe pavarësisë së gjyqësorit dhe larg tendencës për t’i uzurpuar këto institucione. Ajo që na ndan ne nga mazhoranca janë reformat dhe ne jemi për reforma që kanë lidhje me sistemin dhe nuk jemi për arnime sistematike, siç është rasti i fundit i tre ligjeve që janë në proces, të cilët janë propozuar nga mazhoranca”, - deklaroi Leskaj. Liderja e socialistëve në Kuvend shtoi se pikërisht projektligjet e propozuar nga mazhoranca për Prokurorinë e Përgjithshme, shërbimin e kontrollit të brendshëm dhe administratën gjyqësore kanë efekte negative në drejtim të pavarësisë së institucioneve. “Për sa i përket ligjit të prokurorisë, unë jam prononcuar edhe në deklaratën që kam bërë në emër të grupit parlamentar socialist ditën e hënë, dhe kam thënë se ne nuk do të votojmë asnjë ligj të prokurorisë, i cili nuk është në standarde dhe se nuk do të votojmë asnjë ligj prokurorie që nuk garanton pavarësinë dhe eficiencën e prokurorisë, që do të thotë se ne në radhë të parë duhet të garantojmë institucionet”, - tha Valentina Leskaj, lidhur me ligjin e prokurorisë. Për partinë më të madhe opozitare, mbrojta e pavarësisë së institucioneve ka qenë një nga prioritet e saj gjatë tre viteve të fundit. PS-ja ka dalë kundër demokratëve në çdo rast, kur ka vërejtur se objektivat e demokratëve nuk ishin për reforma reale, por për kapje të institucioneve. Ndërkaq, Leskaj i kërkoi mazhorancës të reflektojë lidhur me vërejtjet e shprehura nga ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë, Xhon Uidhërs. “Unë do të dëshiroja që kolegët e PD-së t’u adresoheshin edhe çështjeve të tjera që ka ngritur në prononcimin e vet ambasadori i SHBA-ve, çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin, me tragjedinë e Gërdecit dhe nuk e di se pse hezitojnë ata të prekin çështje që kanë të bëjnë me trafikun e qenieve njerëzore, ku sipas deklaratës kemi një kthim mbrapa, apo me çështje të tjera që lidhen funksionimin e demokracisë në Shqipëri”, - u shpreh kryetarja e grupit parlamentar të PS-së. Socialistët në vazhdimësi kanë ngritur zërin, duke i kërkuar prokurorisë të vazhdojë punën për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, dhe mazhorancës të mos bëjë presione për ta fshehur atë. Po konstante kanë qenë edhe thirrjet e herëpashershme drejtuar kryeministrit Berisha, se jo vetëm ka dështuar në luftën ndaj korrupsionit, por e ka shtuar më tej këtë fenomen negativ.