E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa më shpejt

LSI-ja kërkon që kodi i ri zgjedhor të miratohet të paktën brenda tetorit

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon që kodi zgjedhor të hyjë sa më parë në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Nënkryetari i LSI-së Dritan Prifti tha në një prononcim për “Korrierin” se kodi duhet të hartohet e të miratohet sa më shpejt. Sipas tij, fillimi i punës në komision nuk lidhet me kërkesën e LSI-së, për të përfshirë në kalendarin trejavor çështjen e kodit. Prifti sqaron se, pavarësisht përfundimit të diskutimeve, madje edhe përfundimit të draftit në komision, kodi nuk mund të votohet në seancë, pasi nuk është pjesë e axhendës. “Ne kërkojmë që në seancën e parë kodi të futet në axhendë, por mesa  duket të mëdhenjtë nuk i kanë mbyllur deri në fund pazaret. Me ligj, kodi duhet të përfundojë të paktën gjashtë muaj përpara zgjedhjeve. Sa më shpejt të përfundojë, aq më mirë është, sepse në zgjedhjet e ardhshme do të jetë komplet sistem tjetër e do të duhet të ketë kohë që administrata të përshtatet. E rëndësishme është që të paktën të kalojë brenda tetorit”, - tha ai. Nënkryetari i LSI-së vëren me shqetësim edhe ecurinë e ngadaltë të punës në komisionin e posaçëm për kodin zgjedhor. Sipas tij, një pjesë e çështjeve kanë filluar të diskutohen në mënyrë jozyrtare, por duhet të fillojnë të debatohen në komision. “Diskutimet për çështjen e KQZ-së, koalicioneve dhe administratën zgjedhore kanë filluar, por në fshehtësi. Ne kërkojmë që të fillojë puna në komisionin parlamentar për miratimin e kodit zgjedhor. Vetëm atëherë do të mund të ketë transparencë. Deri tani ka vetëm pazare”, - u shpreh Dritan Prifti. Më tej ai jep edhe qëndrimin e LSI-së, lidhur me pikat e tjera që lidhen me kodin zgjedhor, të cilat ende nuk janë diskutuar. Nënkryetari i LSI-së thotë se partia e tij kërkon që të ketë përfaqësuesit e saj në administratën zgjedhore. “Nuk jemi për komisione të pavarura, siç duan t’i manipulojnë PD-ja me PS-në. Ne duam që përfaqësuesit e partive ta monitorojnë procesin”, - tha ai. Prifti po ashtu shprehet kundër riformatimit të KQZ-së. Sipas tij, numri i anëtarëve nuk duhet të reduktohet, sikundër thuhet se do të kërkohet nga partitë e mëdha. “KQZ-ja duhet të vazhdojë të jetë siç është, me 9 anëtarë, dhe LSI-ja duhet të ketë përfaqësuesin e saj. Nuk ka nevojë për ndryshime”, - deklaroi Dritan Prifti. Që pas dorëzimit zyrtar në Kuvend të draftit për ndryshimin e sistemit zgjedhor nga ana e PS-së, LSI-ja u shkëput nga koalicioni me partinë më të madhe opozitare. Që atëherë LSI-ja është shprehur kundër mënyrës sesi po procedohet për reformën zgjedhore, madje edhe kundër koalicioneve të përbëra, një ide e përkrahur nga PSD-ja, që me këtë formulë pritet të bashkëpunoje me PS-në në 2009-ën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›