E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhja nr. 15 ndaj lojtarëve në dy vjet

Futbollistët që militojnë në premiershipin anglez vazhdojnë të jenë objektivi i preferuar i hajdutëve të shtëpive në Angli. Viktima më e fundit është sulmuesi i Midëllsbrout, Afonso Alvesh: keqbërësit hyjnë në shtëpinë e brazilianit, ndërkohë që ai ishte i impenjuar në takimin me Portsmuth. Hajdutët grabitën sende me vlerë, para dhe aparatura elektronike me vlerë prej disa mijëra sterlinash. Alvesh e kuptoi çfarë kishte ndodhur vetëm në momentin kur u kthye në shtëpi. Ai u bë futbollisti i 15-të, shtëpia e të cilit vidhet në dy vitet e fundit. I pari, i cili u bë viktimë e këtij krimi, ishte portieri i Liverpulit, Jerci Dudek, në gusht të vitit 2006. Fakti shqetësues është se "vrulli" i hajdutëve nuk ndërpritet as nga prezenca e familjarëve të sportistëve. Madje, nuk kanë munguar rastet kur të fejuarat dhe nënat e tyre, si në rastin e Darren Fleçer apo Roke Santa Kruz, janë kërcënuar me armë të ftohta. Më të goditurit nga vjedhjet janë lojtarët e Liverpulit, në tetë raste.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›