John Cassavetes hap "Marubin"
E enjta e Marubit këtë vit nis me filmin e regjisorit greko-amerikan John Cassavetes "Opening Night" (144min), realizim i vitit 1977. Luajnë aktorët: Gena Rowlands, Ben Gazzara, Joan Blondell, Paul Stewart, Zohra Lampert dhe vetë regjisori Cassavetes.
Pak minuta para shfaqjes së tij, Thomas Logoreci dhe Iris Elezi do të bëjnë një prezantim të shkurtër të tij.
John Cassaavetes është aktor, regjisor dhe producent. Njihet për shtysën fillestare që i dha kinemasë indipendente amerikane, për teknikat dhe stilin e veçantë të përdorur në filmat e tij artistikë.
"Opening night" flet për një aktore nga Broadway, Myrtle Gordon (në rol Gena Rowlands), që në shfaqjen e saj të fundit për publikun ka rolin e një gruaje që nuk pranon dot plakjen. Një ngjarje tragjike, vdekja e një vajze të re, adhuruese e saj, e goditur nga një makinë tek po përpiqej për ta takuar atë, e fut në mendime për vdekjen dhe jetën që ka bërë deri tani.