Bie fluksi në Kakavijë, radhë në Kapshticë
Kthimi i emigrantëve
Rreth 15 mijë emigrantë kanë lënë pas tokën shqiptare gjatë 48 orëve të fundit vetëm nga pika e kalimit kufitar të Kakavijës.
E diela ka shënuar një fluks tepër të konsiderueshëm të largimit të emigrantëve drejt Greqisë, pas festimit në atdhe të festave të fundvitit, e lidhur kjo edhe me fillimin e punës dhe sistemit arsimor. 11 mijë persona me shtetësi shqiptare që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj me rreth 3 mijë automjete janë kthyer vetëm gjatë ditës së diel nëpërmjet Kakavijës.
Ndërkohë, ditën e djeshme fluksi i lëvizjeve ka rënë ndjeshëm. Rreth 4500 emigrantë kanë kaluar traun e doganës shqiptare, ndërsa është punuar me një numër të lartë sportelesh dhe efektivash policorë, për të bërë të mundur shmangien e radhëve dhe orëve të pritjes.
Kështu, mësohet se pala shqiptare në këtë vendkalim po punon me 9 sportele, ndërsa ajo greke me 6 sportele.
Në Kapshticë, fillimviti i ka gjetur shumë emigrantët shqiptarë në pritje për të kryer procedurat ndërkufitare në këtë vend kalim. Pika kufitare gjatë së hënës ka qenë e ngarkuar nga dyndja emigrantëve që nxitonin për t'u kthyer drejt Greqisë.
Më shumë se 300 automjete kanë qëndruar në radhë gjatë orëve të pasdites së të hënës, duke rrezikuar një pjesë e tyre të gdhijnë natën jashtë. Ndonëse në të dyja anët e kufirit punohet me ritme të larta, madje dhe me efektiva më të shumtë në numër për shkak të kthimit të emigrantëve shqiptarë në vendet e tyre të punës në shtetin fqinj, nuk është bërë e mundur për asnjë çast eleminimi i radhëve.
Pala shqiptare punon me katër sportele vetëm për dalje, ndërkohë që dy të tjerë funksionojnë për hyrje. Pala greke ka në punë për hyrjet në Greqi katër sportele, ndërsa për dalje vetëm një të tillë.
Sipas shifrave zyrtare të bëra të ditura nga komandanti i pikës kufitare në Kapshticë, Dritan Sheme, në 24 orët e fundit kanë dalë nëpërmjet kësaj pike 6 mijë emigrantë me 1500 automjete. Për festat e fundvitit nëpërmjet Kapshticës kanë hyrë në Shqipëri mbi 100 mijë shtetas shqiptarë, nga të cilët janë rikthyer në Greqi nga data 1 janar vetëm 25 mijë prej tyre.
Edhe për disa ditë radhët nuk do t'i ndahen Kapshticës, ndërsa policia kufitare shqiptare do të vazhdojë me gjendjen e saj të gatishmërisë në pikat e kalimit, që mund të kenë fluks emigrantësh në dalje.
Ndërkaq, Departamenti i Kufirit në Policinë e Shtetit, pohoi në një deklaratë zyrtare nëpërmjet zëdhënëses Laura Totraku, se janë marrë masa për lehtësimin e procedurave të kalimit të emigrantëve dhe automjeteve.
"Në ato Pika kontrolli kufitar ku fluksi i qarkullimit të shtetasve dhe të mjeteve është më i lartë është bërë i mundur shtimi i sporteleve dhe i personelit me anë të komandimeve të personelit shtesë.
Ndërkohë janë porositur strukturat vendore që të bashkëpunojnë me strukturat homologe policore të vendeve fqinje, me qëllim menaxhimin sa më mirë të fluksit të lëvizjes",- tha Totraku. Sipas saj, vetëm deri dje në mesditë kishin kaluar kufirin 6 150 shqiptarë 749 të huaj dhe 1707 mjete të llojeve të ndryshme.