John Withers: Kush mendon se Rama dhe Berisha janë njësoj, e ka gabim
Pjesa e dytë e intervistës së ish-ambasadorit amerikan, John L. Withers II, dhënë për gazetën Shqip. Si e sheh ai aleancën Rama-Meta dhe lobuesit e qeverisë në Uashington
Rama dhe Berisha nuk janë njësoj
Shqipëria ka shumë njerëz të kualifikuar për të zëvendësuar Berishën si kryeministër. Surrogatët mediatikë të Berishës janë qesharakë
Intervistoi: Gjergj Erebara
Në pjesën e dytë të intervistës së tij për gazetën Shqip, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, John L. Withers, jep opinionin e tij për Edi Ramën dhe udhëheqësit e tjerë politikë që garojnë në zgjedhjet e ardhshme. Mendimet e tij i përkasin një qytetari amerikan dhe jo një zyrtari të Shteteve të Bashkuara. Ai u kërkon shqiptarëve të votojnë ndryshimin, të ngrihen përballë padrejtësisë dhe na kujton numrin e madh të patriotëve që luftuan shumë. Demokracia është e arritshme, thotë Withers. Koha është që Shqipëria të shpëtohet nga një sundim që bazohet te korrupsioni, nepotizmi dhe favoritizmi, që ruan privilegje për një grup oligarkësh dhe përbuz të drejtat e shqiptarit të mesëm, thotë ai.
Duke dëshmuar edhe një herë njohuritë e tij të thella për Shqipërinë, ambasadori Withers citon Musine Kokalarin dhe Adelina Mamaqin dhe ka një mesazh special për gratë shqiptare. Ju jeni thelbi i shoqërisë, thotë ai, udhëhiqeni Shqipërinë drejt së ardhmes.
Kushdo që propagandon idenë se Rama dhe Berisha janë njësoj, sipas Withers nënkupton, apo duket sikur thotë se në fakt, në Shqipëri nuk ka asnjë që të jetë i kualifikuar aq sa Berisha për të qenë kryeministër. Dhe kjo është gabim, thotë ai. Për marrëveshjen Rama-Meta, ai bën të ditur se nuk e pëlqen, por shpreson se në fund ajo mund të rezultojë pozitive për vendin.
A është e mundur që shqiptarët të presin një përmirësim gradual të sundimit të ligjit apo është më mirë të shpresojmë për një revolucion?
Ka një hap të thjeshtë të parë në rivendosjen e sundimit të ligjit në Shqipëri dhe kjo është në duart e votuesve. Unë i them çdo shqiptari: Nëse besoni te sundimi i ligjit, 23 qershori është koha për të vepruar. Nëse kërkoni të themeloni gjykata të besueshme dhe të respektuara, kjo është koha për të folur.
Nëse dëshironi të shpëtoni vendin nga një regjim që e bazon sundimin e vet te korrupsioni, nepotizmi dhe favoritizmi, që ruan privilegje speciale për një grup oligarkësh që i shikon të drejtat e shqiptarëve të mesëm me neveri dhe që është në një rrugë të shpejtë drejt diktaturës, atëherë kjo është koha për tu ngritur. Apatia është armiku juaj më i keq.
Shqiptarët patriotë kanë luftuar për liri përgjatë shekujve. Shumë pak jetuan për ti parë ato ëndrra të realizuara. Ju, gjithsesi, keni mundësinë ta bëni realitet. Bëni zgjedhje të lira, të ndershme dhe paqësore dhe ky do të jetë revolucioni juaj.
Votoni për ndryshim për të rigjallëruar sundimin e ligjit në vendin tuaj të dashur.
Z.Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, duket shumë i bindur se vëzhguesit e huaj nuk do të tolerojnë parregullsi në votime këtë herë dhe është shprehur i gatshëm të marrë postin e kryeministrit. Megjithatë, z.Rama është akuzuar se nuk është shumë i ndryshëm nga z.Berisha. Shumë mendojnë se asgjë nuk do të ndryshojë në luftën kundër korrupsionit nëse ai vjen në pushtet. Cili është opinioni juaj për z.Rama? A është ai i përgatitur për tu bërë kryeministër?
Nuk më përket mua të mbështes ndonjë parti apo kandidat. Por, nëse ata që mendojnë se nuk ka dallim të madh mes z.Rama dhe z.Berisha, me këtë duan të nënkuptojnë se z.Berisha është i vetmi person në Shqipëri i kualifikuar për të qenë kryeministër, atëherë unë nuk jam dakord. Ka shumë alternativa të kualifikuara ndaj z.Berisha në Shqipëri.
Më lejoni tju them diçka hapur, jo si mbështetje për kandidaturën e ndokujt, por si një fakt i drejtpërdrejtë: ata që mendojnë se z.Rama dhe z.Berisha janë njësoj, e kanë gabim. Unë i njoh këta burra si dhe kandidatë të tjerë. Dhe duke folur hapur si zakonisht, vetëm mund të them se z.Berisha duket i shteruar nga idetë se si mund të qeveriset vendi, për shkak të eksesit në kontrollin brenda qeverisë së tij dhe për lëvizjen e Shqipërisë bindshëm në drejtime të reja.
Mentaliteti i tij vjen nga kohët dhe praktikat e së shkuarës. Z.Rama dhe unë nuk jemi parë gjithmonë sy më sy për probleme të ndryshme. Ditët e fundit, mu desh të mendoj thellë dhe fort mbi vendimin e tij për të krijuar një koalicion me një njeri me reputacionin e pisët të Ilir Metës. Por z.Rama është një politikan i aftë dhe unë nuk jam. Ai e di llogaritjen politike në mënyrë që unë nuk mundem. Për rrjedhojë, kam dëshirë të besoj se vendimi i tij do të rezultojë i mençur në fund. Konkluzioni im është se Edi Rama gjithmonë ka demonstruar në diskutimet tona se ai është shumë më tepër mendjehapur në këndvështrim dhe shumë më tepër modern në mendimet e tij për botën se sa Sali Berisha.
Ai reflekton energjinë, imagjinatën dhe drejtimin progresiv të gjeneratës më të re të shqiptarëve. Je apo nuk je dakord, ai ka ide të reja dhe të shumta. Dhe më lejoni të shtoj se po kështu janë edhe kandidatët e tjerë në këtë fushatë.
Po mendoj specifikisht për z.Topi dhe z.Oketa, që të dy janë njerëz me largpamësi. Dhe edhe z.Spahiu, megjithëse jam i shqetësuar për disa tendenca ideologjike të partisë së tij. Këta njerëz kanë diçka për të dhënë për Shqipërinë. Shpresa ime është se ata do të lënë mënjanë dallimet politike dhe do të qëndrojnë së bashku për demokracinë në këtë kohë krize. Unë e përsëris: Shqiptarët kanë shumë kandidatë të kualifikuar nga mund të zgjedhin. Zgjidhni me mençuri! Zgjidhni ndryshimin!
Këtë herë ne kemi parë një rritje të retorikës nacionaliste, më së shumti nga Partia Demokratike. Disa analistë besojnë se z.Berisha po e përdor nacionalizmin për të shantazhuar bashkësinë ndërkombëtare, d.m.th. që ai të arrijë një marrëveshje me ta më vonë dhe rrjedhimisht të ndikojë opinionin e tyre mbi procesin zgjedhor. Të tjerë mendojnë se rritja e nacionalizmit është vetëm një taktikë elektorale. Si e shikoni ju këtë retorikë?
Retorika nacionaliste e Kryeministrit është e rrezikshme. Asnjë komb në botë nuk ka punuar më shumë apo nuk ka rrezikuar më shumë për pavarësinë e Kosovës sesa Shtetet e Bashkuara.
Asnjë vend nuk po përpiqet më shumë dhe më me zell për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Ballkan, stabilitet që Kosova dhe vende të tjera të rajonit e kanë të nevojshëm për të rritur mirëqenien dhe prosperitetin. Nga ana e Kryeministrit, simpatizimi me pasionet e ndjenjave nacionaliste dhe thirrjet për Shqipërinë e Madhe janë të papërgjegjshme. Kjo tradhton kauzën për të cilën amerikanët dhe europianët kanë punuar kaq shumë. Nuk mund të spekuloj në motivet e Kryeministrit, por pasojat e fjalëve të tij shkojnë kundër asaj që populli amerikan po përpiqet të bëjë për rajonin dhe për Shqipërinë.
Por më lejoni të thellohem në fenomenin e nacionalizmit në vetvete. Historia ka treguar një dallim të qartë mes krenarisë nacionale dhe nacionalizmit radikal. Krenaria kombëtare është e mirë; është e shëndetshme; mund të jetë frymëzuese. I juaji është një vend i madh me traditë të madhe dhe kulturë të pasur. Ju duhet të jeni krenarë për të. Unë jam. Më prek mua thellë kur shqiptarët këtu në Shtetet e Bashkuara e prezantojnë veten me një frazë të thjeshtë dhe të mrekullueshme, unë jam shqiptar. E kush nuk do të trazohej nga fotografitë e Fation Plakut, një punonjës i ambasadës amerikane dhe një mik, duke vendosur flamurin shqiptar në majë të malit Everest? E kush nuk ndien kënaqësi kur Inva Mula gëzon të pasionuarit me operën nga San Françisko në Par