Jokonformistët
Njëri është nga Beogradi e tjetri jeton në Prishtinë. Të dy shkruajnë poezi. I pari shkruan se nuk di të bëjë asgjë tjetër, e i dyti nuk e di as vet pse shkruan. Njëri quhet Millosh e tjetri Arben. Fakti se u takojnë dy kombeve që politikisht nuk shkojnë mirë ndërmjet vete atyre nuk u lë shumë përshtypje dhe nuk i pengon në miqësinë që kanë. Ata janë njohur vitin e kaluar në Panairin e Librit në Lajpcig, ndërsa tani po marrin pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të letërsisë Polip, që po mbahet në Prishtinë. Libri me poezi ‘Lirika e qenve’ i Millosh Zhivanoviqit sapo është përkthyer dhe botuar në shqip nga Fadil Bajraj, ndërsa parathënien e ka shkruar Arben Idrizi. Në anën tjetër, edhe libri i Idrizit (përkthyer nga Shkëlzen Maliqi), do të botohet muajin e ardhshëm në Beograd, parathënien e të cilit e ka përgatitur Millosh Zhivanoviq. Këto dy parathënie mund t’i lexoni në Express krahas kësaj interviste të shkurtë me këta poetë.
Pse shkruani?
Millosh Zhivanoviq: Nuk mund të bëj në të vërtetë asgjë tjetër.
Arben Idrizi: Kur pyetja është e këtillë, duhet të jesh goxha gjeni që të japësh një përgjigje për të qenë. Po e shfrytëzoj atë pak fije të padukshme mençurie të budallallëkut tim të paanë që të përgjigjem thjesht: nuk e di, njëmend nuk e di.
Në të kaluarën, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, poezia e ka pasur edhe një lloj misioni, që ka qenë nxitja e nacionalizmit dhe urrejtjes. Sot, a mund të përdoret poezia si mjet për pajtimin e dy popujve?
Millosh Zhivanoviq: Letërsia në përgjithësi, por poezia në veçanti ka qenë një mjet i fortë për projektet e mëdha nacionaliste dhe benzinë e madhe për atë lloj zjarrmie sociale. Nuk besoj që letërsia duhet të jetë ‘mjet’ për diçka, por gjithashtu besoj se letërsia duhet të shfaqë një kuptim për këtë kohë dhe hapësirë, duhet së paku të tentojë të shtrëngohet dhe të sqarojë punët me të kaluarën e vonë. Në këtë mënyrë, kur shkrimtarët që tentojnë të bëjnë këtë ulën së bashku për të lexuar dhe për të diskutuar mbi letërsinë, atëherë mund të thoni se është një ‘mjet’ i mirë pajtim.
Arben Idrizi: Paj, ndoshta, nëse e reduktojmë në mjet, gjë që do të mund të ishte edhe e rrezikshme. Ironia mund të jetë në atë se ata që janë të prirë të zotërohen nga ndjenjat e nacionalizmit dhe urrejtjes zor se lexojnë poezi (nacionalizmi dhe urrejtja janë, ndër të tjera, fryt i injorancës), ose, në hipotezën tjetër, nëse lexojnë, zor se e lexojnë poezinë që edukon në tolerancë, mirëkuptim, dashuri, pra poezinë që çon ka humanizmi. E edhe në këtë rast, poezia nuk është vetëm kaq.
Poezia juaj është përkthyer në gjuhën shqipe (serbe). Sa ju gëzon ky fakt, duke marrë parasysh se deri para pak vitesh kemi luftuar me njëri-tjetrin dhe ende konsiderohemi vende armike?
Millosh Zhivanoviq: Ky përkthim është shumë i dashur për mua saqë mund të them se përkthimi më i parapëlqyer i veprës sime. Vërtet më kënaq fakti se vepra ime tani është në dorën e lexuesve shqiptarë. Gjithashtu më gëzon fakti se përkthyesi im është Fadil Bajraj, njeriu prej të cilit kam mundur të mësoj shumë dhe me të cilin ndaj shumë gjera. Mendoj se ky rajon ka nevojë për më shumë njerëz si ai dhe si të tjerët që e organizojnë festivalin Polip. Këto grupe njerëzish janë bërthama për komunikimin, në të ardhmen, ndërmjet kulturave dhe letërsive.
Arben Idrizi: Parimisht, sa për mua është si të isha përkthyer në çfarëdo gjuhe tjetër, qoftë edhe të vdekur. Përkthimet dhe leximet tona të ndërsjella nuk kanë ndonjë ndikim në qëndrimet politike e kulturore të vendeve tona. Edhe pas kësaj gjëje, ata që do të duan të jenë armiq do të vazhdojnë (të duan) të jenë armiq. E bukura është se ne kemi qenë dikur miq pa e ditur, tash jemi duke e ditur. Bën vaki në ndonjë jetë të kaluar unë kam qenë Misha ose Toma, e ata unë.
Sa e njihni letërsinë shqipe (serbe)?
Millosh Zhivanoviq: Nuk kam ditur pothuajse asgjë rreth letërsisë së Kosovës deri së voni, kur e bëmë projektin e dy antologjive. Ndërkohë më duhet ta njoh më mirë letërsinë bashkëkohore nga Kosova.
Arben Idrizi: Tmerrësisht pak. Por, për aq sa i kam lexuar ta zëmë Millosh Zhivanoviqin e Tomisllav Markoviqin, them se njoh dy poetë të mrekullueshëm.
Çka mund të na thoni për poezinë e Arben Idrizit (Millosh Zhivanoviqit)?
Millosh Zhivanoviq: Poezia e Arben Idrizit është shumë e afërt me (po)etikën time. E shoh poezinë e tij të jetë fuqishëm e bazuar në realitetin përditshëm kosovar dhe në të kaluarën e vonë. Prapa këtyre vargjeve mund ta shoh një njëri që përballet me tmerrin e luftës, por gjithashtu edhe me jetën e pasluftës, e cila është gjithçka pos e qetë dhe e rehatshme.
Arben Idrizi: Diçka pa ndonjë rëndësi e kam thënë në parathënien e librit të tij në shqip. Diçka me shumë rëndësi e thotë vetë poezia e tij.