Turqia filloi hartimin e kushtetutës së re

Parlamenti turk ka filluar procesin e ndryshimit të kushtetutës 30-vjeçare, për të zëvendësuar një tekst të miratuar 2 vjet pas grushtit ushtarak të vitit 1980, duke pasqyruar kështu ndryshimet e mëdha në një vend që tani drejtohet nga një qeveri e moderuar.
Studiuesi i shkencave politike, Cengiz Aktar i Universitetit Bahcesehir, thotë se një kushtetutë e re është thelbësore për të ardhmen e vendit.
“Ky është një moment tepër i rëndësishëm në historinë e Republikës Turke. Vendi ka nevojë për një dokument të ri social, i cili do të përcaktojë mënyrat përmes të cilave ai synon të shkojë përpara dhe për t’u siguruar se të gjitha shtresat e popullsisë do të bashkë-ekzistojnë dhe do të bashkëpunojnë, pa ndjerë se ato janë përjashtuar, gjë që ka ndodhur deri tani”, tha ai.
Kushtetuta ushtarake e tanishme fajësohet gjerësisht për kufizimin e lirive, në vend që t’i mbrojë ato. Kryeministri, Rejjep Tayip Erdogan thotë se dokumenti, i cili pritet të përfundojë deri në fund të vitit, do të ketë në qendër qytetarët dhe jo shtetin.