Jolie nuk vjen në Kosovë?

Menaxherja e kinemasë ABC Miradije Vllahiu në një prononcim për gazetën Koha Ditore ka thënë se aktorja nuk pritet të jetë e pranishme në premierën e këtij filmi.
“Nuk pritet që Angelina Jolie të vijë në Kosovë në kohën e premierës, por ka mundësi që të vijë gjatë vitit 2012 dhe vizita e saj do të ishte e mirëseardhur kurdo që ndodh”, ka thënë Vllahiu për gazetën.
Ndryshe, më herët për një vizitë të mundshme të Jolie në Kosovë kishte lobuar edhe presidenca e Kosovës, ku presidentja Atifete Jahjaga ishte takuar me Jolie gjatë marsit në SHBA.
“Presidentja ka takuar Jolie në New York dhe i ka bërë ftesë që ta vizitojë Kosovën dhe ende jemi duke pritur përgjigje prej saj. Gjithçka është çështje e kohës dhe e mundësive të saj për vizitë”, ka thënë zëdhënësi i Presidentes, Arbër Vllahiu.
Jolie kishte vizituar Kosovën në vitin 2002, ku në këtë vizitë ajo e kishte quajtur Kosovën “vend të pikëlluar”.
“Vështirë të shihet se si mund të kthehet një vend në gjendje normale. Nuk ka lumturi të vërtetë, por ka përpjekje për mbijetesë. Për të ecur përpara, për të provuar rindërtim. Të provojnë ti bëjnë fqinj armiqtë e vjetër”.
Por, kosovarët në atë kohë nuk e kishin pritur mirë këtë vizitë të Jolie e cila ishte takuar vetëm me minoritetin serb në Kosovë, sidomos kur kishte vizituar Mitrovicën.
“Njerëzit mendojnë se kur përfundon lufta, gjithçka mund t’i kthehet normales. Por në Kosovë, gjendja e sigurisë mbetet e diskutueshme për pakicat”, kishte thënë aktorja në Kosovë gjatë vizitës së vitit 2002.