Jonela: Një nga banorët shtiret
Jonela dhe Emilio qëndrojnë në kuzhinë duke biseduar. Emilio e pyet Jonelën nëse është ambientuar në shtëpi dhe a ka arritur t’i njohë banorët. Ajo përgjigjet se po ndihet mirë, por ka ende disa paqartësi për ta, duke theksuar se është një person në shtëpi që nuk i pëlqen. Jonela nuk e thotë emrin, duke komentuar në vazhdim Nedën, për të cilën edhe Emilio shton se është vajzë me karakter të fortë dhe e kompletuar. Emilio shprehet se ka disa persona që hiqen si të zgjuar dhe më së shumti këto janë femra. Jonela thotë se po pret që të zbulojë personin që mund të fshihet pas zgjuarsisë së të tjerëve dhe do t’ia përplasë në fytyrë. Emilio e ngacmon të tregojë nëse është bionde apo brune, por Jonela nuk flet më tepër.
Edisoni, simpati për tri vajza
Emilio, Klaudia dhe Algeni kanë dalë jashtë për të pirë cigare. Ata bisedojnë me njëri-tjetrin dhe bëjnë thashetheme për Edisonin. Edisoni është një nga djemtë që u ka shprehur në një mënyrë apo në një tjetër simpatinë disa vajzave të shtëpisë. Emilio thotë se Edisoni nuk donte që t’i tregonte emrin e vajzës që pëlqen më shumë se të tjerat. Klaudia fillon t’u tregojë dy djemve për një bisedë që kishte pasur me Edisonin. Ajo shprehet se nuk i pëlqeu sjellja dhe shprehja e Edisonit, i cili i ishte afruar shumë dhe i kishte thënë se ajo ishte shumë tërheqëse. Algeni thotë se Edisoni po mundohet të bëjë lojë. Aty vjen edhe Alkena dhe Emilio i tregon asaj për bisedën që po bënin në lidhje me Edisonin dhe ndjenjat e tij karshi vajzave të shtëpisë. Alkena thotë se ajo nuk beson se Edisoni po luan me këtë pjesë dhe e të njëjtit mendim është edhe Klaudia.
Prova e javës: “Fotografia”
Klodjana del nga dhoma e rrëfimit me zarfin e provës së javës në dorë. Të gjithë banorët qëndrojnë ulur në dhomën e ndenjes dhe ajo nis të lexojë përmbajtjen e zarfit. Banorët informohen për fazën e parë të provës së javës së katërt. Kjo pjesë e provës titullohet “Fotografia”. “Big Brother” ka vënë në dispozicion të banorëve një aparat fotografik me anë të të cilit banorët duhet të bëjnë disa foto artistike. Petriti do të jetë ai që do të fotografojë gjithë banorët teksa pozojnë, ndërsa Ergysi do të fotografojë Petritin kur të jetë radha e tij për të pozuar. Banorët duhet të pozojnë para platformës që gjendet në dhomën jeshile. Pasi Klodjana lexon përmbajtjen e provës dhe sqaron banorët, ata fillojnë të përgatiten për realizimin e provës, nga e cila varet buxheti i javës.