E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hana Cakuli rikthehet në muzikë

SHKRUAN: Ilda Lumani 21-01-2011 12:10

Pas një mungese në tregun muzikor, këngëtarja Hana Cakuli ka vendosur të shfaqet me një këngë të re. Por në këtë rikthim, asaj i është dashur një emër i sigurt. Pirro Çako është një emër që përkthehet në sukses. Kështu që Hana nuk ka pasur asnjë mëdyshje në këtë rast, por i është drejtuar pikërisht kompozitorit, i cili fitoi dy vendet e para në festivalin “Kënga Magjike”. “Është kënga të cilën e kam pritur prej një kohë të gjatë. Një këngë pop-ritmike, të cilën do ta publikoj sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk po premtoj se do të jetë në këtë muaj. Do të jetë ndoshta në muajin tjetër. Është një këngë, të cilën është duke e punuar Pirro Çako”. Ndërkaq, Hana saktëson se ndryshe nga komentet dhe thashethemet e gojëve të liga, kënga nuk do të jetë një duet. “Jam në përfundim e sipër të këngës, e cila nuk është një duet siç e kishin keqkuptuar në disa media. Është një bashkëpunim dhe jo duet me Pirron. Ky është projekti im, në të cilin jam duke e punuar aktualisht. Është një këngë pozitive, një këngë ritmike dhe e kërcyeshme”, tregon Hana, ndërsa vlerëson bashkëpunimin në fjalë.

Bashkëpunimi i dytë

Kjo këngë shënon edhe bashkëpunimin e dytë të artistes me kompozitorin Pirro Çako. “Kënga e parë dhe e vetme, deri më tash, që kam bashkëpunuar me Pirron është kënga “Dashuria e fatit tim”, dhe jam jashtëzakonisht e kënaqur për bashkëpunimin me të. Jam tejet e kënaqur për profesionalizmin e tij dhe të gjithë mundin e tij, që e ka dhënë me gjithë dëgjimin e tij të mirë, ndaj kërkesave të mia. Është shumë e rëndësishme, kur një kompozitor e kupton se çfarë kërkon një këngëtar, dhe pastaj ta zbërthejë atë në nota e në tekst. Kështu vendosa ta vazhdoj bashkëpunimin me Pirron. Kësaj here është një frymë tjetër, një këngë tjetër, ndryshe, jo një baladë. Të shohim se si do të rezultojë. Shpresoj se do të dalë e kënaqshme”. Ndërsa nuk fsheh entuziazmin për këngën në fjalë, Hana bën me dije se pasi ka dëgjuar notat muzikore, pret me padurim të marrë edhe tekstin në dorë. “Notat për këtë këngë tashmë i kam dëgjuar, ritmin e kam dëgjuar. Kjo është gati. Është teksti ai i cili po mungon, për të cilin jam duke pritur. Jemi në bisedime për detajet. Gjithashtu do të jetë një tekst i Pirros”. Ndonëse nuk është 100 për qind e sigurt, këngëtarja ka në mendje që këngës në fjalë t’i realizojë edhe klipin. “E kam në mendje t’ia realizojë dhe klipin, ndonëse realizimi i tij nuk është 100 për qind i sigurt, vetëm se me siguri që po!”. Por, Hana nuk i është rikthyer fuqishëm vetëm realizimit të këngës. Po me atë fuqi, ajo thotë se i është rikthyer edhe mbrëmjeve muzikore, studimeve e punës së saj. “Patjetër, iu kam rikthyer fuqishëm tani. Prapë me ftesa të reja…çdo të premte jam në “Maroon” (një club në Prishtinë), kurse ditëve të tjera jam nëpër vende tjera. Siç jam rikthyer te muzika, jam rikthyer edhe te puna dhe provimet. Tashmë, gjithçka është shumë intensive dhe shumë interesante”, shton në fund ajo.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›