Ami lë ‘Portokalli-në’, Program të ri në Vizion Plus
Amarda Toska, show-girl-ja e famshme e televizionit, ka braktisur rolin e saj si moderatore e spektaklit “Portokalli”, për të nisur një program të ri në ekranin e “Vizion Plus”. Lajmi që qarkullonte si një thashethem urban, është konfirmuar nga vetë prezantuesja, e cila pritet që të nisë së shpejti një aventurë të re. Në fakt, për publikun ka qenë një lëvizje e pritshme kjo e Amit, drejt “Vizion Plus”, që në momentin kur bashkëshorti i saj, në atë kohë i fejuari, Ermal Mamaqi, u pozicionua në këtë televizion, në spektaklin e humorit “Apartamenti 2XL”. Surprizë ka qenë pikërisht momenti. Pas largimit të aktorit të humorit, prezantuesit dhe drejtorit artistik, Agron Llakaj, nga “Portokalli” dhe prezantimit të këtij program vetëm nga Ami, duket se i forcoi pozitat e kësaj të fundit. Por ja që pikërisht stuhia ka ndodhur në kohë me diell. Ami ka përfunduar sezonin e fundit të këtij show, në natën e ndërrimit të viteve, për t’i dhënë fund kështu edhe shfaqjes së saj në “Portokalli”. Do të jetë një emision krejt i ri. Vetëm kaq bëhet e ditur për momentin, nga prezantuesja simpatike dhe që ka bërë për vete publikun e gjerë me ëmbëlsinë e saj. Përsa i përket formatit dhe detajeve të reja të programit, që ajo do të sjellë, është ende herët për të folur, pasi gjithçka është në proces. Ndërkaq, nuk dihet sesi e kanë pritur drejtuesit e televizionit “Top Channel” dhe regjisori i “Portokalli”, largimin e Amit, pas asaj të Llakajt. Gjithsesi, tashmë “Portokallisë” i duhet një formulë e re, për të mbajtur pas audiencën. Amarda Toska ka nisur fillimet e saj si balerinë, ndërsa prezantimin e parë e ka nisur në televizionin “Klan”, krah prezantuesve Albert Dumani dhe Fatos Risto, në spektaklin e ndjekur në atë kohë “Netë vere”. Pas dy edicioneve në këtë televizion, ajo u zhvendos në televizionin “Top Channel”, ku edhe u afirmua, u rrit dhe u bë edhe profesioniste në drejtimin e spektaklit “Portokalli”. Së bashku me bashkëshortin e saj, aktorin e veçantë të humorit (njëheraz edhe këngëtar), Ermal Mamaqi ajo drejton edhe një agjenci eventesh mjaft të suksesshme në tregun shqiptar “Ami event’s”.
Çift në dietë!
Jeta në çift ka qenë mëse e shëndetshme për Amin dhe sidomos Ermalin. Ky i fundit, madje, po përjeton një lloj rehatie që ia vë gjithmonë e në dukje barku, i cili i rritej nga një puntatë në tjetrën, gjatë sezonit të fundit të “Apartamentit 2XL”. Koha e pushimit të spektaklit duket se ka qenë idealja për të, t’i kushtohej një diete, për të shfaqur në sezonin e ri në formë të mirë fizike. Kështu, pak ditë më parë, Ermali i është drejtuar klinikës së dieteologes së mirënjohur, Blerina Bombaj. Krah tij, sigurisht ishte edhe Ami. Fillimisht menduam se Ami shoqëronte thjesht Ermalin. Por ndërkohë, ashtu sikurse Ermali, edhe Ami ka vendosur të heqë pak kilogramë nga trupi dhe të gëzojë sërish elegancën e para disa viteve. Por jo vetëm kaq, kështu ajo i jep edhe suport Ermalit, i cili duket se e ka pasur më të nevojshme rënien në peshë!