Jonuzi e Xhihani shënojnë, Ari Han i sheh si kandidatë
Ahmed Jonuzi dhe Parid Xhihani janë dy kandidatët më të fundit për të veshur fanellën e Kombëtares. Nga Shqipëria, ku ka mbetur i pakënaqur nga vëzhgimet e lojtarëve, trajneri Ari Han ka filluar të interesohet për dy sulmuesit, që militojnë në Ukrainë. Kosovari Jonuzi ishte autori i golit të fitores 1-0 për Vorsklan, në sfidën e së dielës, përballë Metalurg Donjetsk. Sulmuesi u aktivizua si zëvendësues në fillim të pjesës së dytë të takimit (në vend të Debatik Currit, që vazhdon të vuajë pasojat e dëmtimit në kofshë) dhe gjeti rrugën e rrjetës, duke i dhënë skuadrës së tij 3 pikë shumë të rëndësishme. Ndërkohë, Xhihani është shndërruar në liderin e Zorias, me 6 gola të realizuar, pas 13 javëve. Gjatë fundjavës në Tiranë, Ari Han u informua për formën e lojtarëve dhe tashmë ai po mendon seriozisht të udhëtojë drejt Ukrainës, për t‘i ndjekur në aksion. Kavajasi Xhihani është një njohje e vjetër në FSHF, pasi ka luajtur edhe me përfaqësuesen Shpresa. Ndërkohë, Ahmed Jonuzi përflitet prej kohësh si një i ri mjaft interesant. Lojtari është i gatshëm të luajë për Kombëtaren kuqezi, por ende nuk është bërë asnjë hap konkret për ta pajisur me pasaportë shqiptare.