Vllaznia, më e mira shqiptare në 12 muaj dhe e 260-a në botë
Vllaznia është skuadra e vetme shqiptare në "toplistën" botërore të klubeve. Fituesja e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2007-2008 është renditur në vendin e 260 në klasifikimin e 350 ekipeve më të mira në botë. Sipas Federatës Internacionale e Futbollit, Histori e Statistika (IFFHS), e cila merret ekskluzivisht me këtë renditje, skuadra shqiptare, pasi kishte fituar 30 pozicione në renditjen e përgjithshme nga renditja muajit shtator, tashmë fiton edhe 14 vende të tjera në renditjen e muajit nëntor, e cila bëhet për periudhën kohore 1-vjeçare (nga 1 nëntori 2007 deri më 30 tetor 2008). Në krahasim me muajin shtator shkodranët kanë një pikë më pak, duke u gjendur në kuotën e 71 pikëve, por vendimtare në përmirësimin e renditjes ka qenë fakti se, rivalët e saj kanë humbur më shumë pikë. Sipas vlerësimeve të IFFHS-së, për periudhën 1-vjeçare, kuqeblutë shqiptarë janë një ekip më i mirë se Atletiko Madrid (e 266-a), Xhenoa (269), Palermo (286) e Espanjoli (303). Ndërkohë, në krye të kësaj renditjeje qëndron për herë parë Barcelona (270 pikë), e ndjekur nga Liverpuli (270) dhe Mançester Junajtid (269). Në "top 10"-shen më të mirë janë edhe Çelsi, Boka Xhuniors, Bajern Mynih, Fiorentina, Inter, Lioni dhe Arsenali.