E Diel, 1 Nëntor 2026

Jorgo Qimulis sjell Hamletin në skenën shqiptare

Regjisori i njohur grek është përzgjedhur për tragjedinë e Shekspirit Sezoni artistik i Teatrit Kombëtar ka nisur me përgatitjet e veprave që i takojnë tragjedisë, por që do të vijnë premierë në skenën teatrore për publikun. Ndërkohë që aktorët e Teatrit Kombëtar kanë nisur përgatitjet për premierën e Elektra me regji të Adonis Filipit, premiera e radhës do të jetë sërish një tragjedi. Në skenë teatrore pas Elektrës së Sofokliut do të vijë Hamleti nga Shekspir, e cila në ndryshim nga vepra parë do të ngjitet në skenë nga

 një regjisor i njohur grek. Do të jetë pikërisht regjisori Jorgo Qimulis, i cili së bashku me një kastë të njohur aktorësh shqiptarë do të sjellë në skenën e TK këtë kryevepër të Shekspirit. Ndërkohë që emri i regjisorit grek është i njohur në skenën teatrore të Greqisë për vënien në skenë të tragjedive të ndryshme. Me këto vepra që TK do të sjellë në skenën teatrore për publikun, premton për shfaqje të cilat do të prezantojnë vlera të larta artiske. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Kristaq Skrami, këto do të jenë sfidat e sezonit teatror në vazhdimësi. Sa i takon premierës së parë, roli i Elektrës tek tragjedia Elektra do të interpretohet nga aktorja e mirënjohur Luiza Xhuvani. Pas një ndërprerje të shkurtër  për shkak të angazhimit të saj në politikë, aktorja tregon se asnjëherë nuk e kam menduar veten të shkëputur nga skena. Në këtë tragjedi të Sofokliut rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar artistja e skenës shqiptare, Roza Anagnosti, në rolin e nënës, Klitemnestrës. Në role të tjera janë aktori Laert Vasili, për zbërthimin e personazhit të Orestit dhe shumë aktore të reja të Teatrit Kombëtar që do të interpretojnë vajet e korit të Sofokliut. Subjekti i tragjedisë Elektra është marrë nga cikli mitologjik mbi Atridët. Ngjarjet e tragjedisë shtjellohen në situata të ngjashme të "Koeforeve" të Esikilit: Në të dyja veprat Oresti rritet e bëhet burrë në dhe të huaj. Ai është vazhdimisht i shoqëruar nga miku i tij besnik, Piladi. Tek të dy tragjeditë Oresti vë në provë të motrën duke iu shfaqur në fillim si i huaj, pastaj ndodh çasti i rinjohjes. Por secili nga këta dy poetë të mëdhenj ka vënë në vepër vulën e personalitetit të tij si artist. Ndërsa te Eskili rolin kryesor e ka Oresti, Sofokliu vë motrën e tij, Elektrën, në qendër të vëmendjes. Oresti nuk është veç krahu, shpirti është e motra. Të dy janë të vendosur dhe skanë asnjë luhatje në çastin kur ngre dorën dhe vrasin nënën e tyre, Klitemnestrën. Elektra është shumë e afërt me Antigonën për nga forca e vullnetit, nga vendosmëria për të kryer atë detyre që ajo e quan të shenjtë. Po ashtu mësohet se në planet  e tjera të Teatrit Kombëtar është menduar për vitin 2010 rihapja e Konkursit Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe. Gjithashtu së shpejti do të nisë puna për një tjetër premierë, e cila parashikohet të ngjitet në skenë në muajin mars. Bëhet fjalë për veprën e shkruar prej italianit Lugi Pirandello Gjashtë personazhe kërkojnë autor, e cila do të vijë në skenë nën drejtimin e regjisorit Mehmet Xhelili. Direkt pas këtyre premierave në muajin mars, do të nisin përgatitjet për vënien në skenë të një drame shqiptare, e cila pritet të jetë gati për publikun rreth muajit prill. Drama shqiptare do të përzgjidhet në kohën e duhur, duke pasur parasysh prurjet e dramaturgëve shqiptarë me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Teatrit Kombëtar. Po ashtu muaji maj do të sjellë një sërë aktivitetesh festive në kuadër të krijimit të Teatrit Kombëtar. Po këtë muaj do të kthehet një tjetër aktivitet i rëndësishëm teatror. Bëhet fjalë për Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit me pjesë kombëtare. Ndërkohë, në kuadër të aktiviteteve ndërkombëtare, drejtori Skrami ka përmendur pjesëmarrjen e veprës Alegreto Albania të regjisorit Altin Basha në bienalen teatrore "Neë Plays from Europe", e cila më parë është njohur me emrin "Bienalja Teatrore e Bonit". Aktiviteti organizohet në Visebaden të Gjermanisë. Kjo pjesëmarrje vjen në kuadër të bashkëpunimit me ETC-në për shkëmbimin e vlerave artistike dhe promovuese. Ky është një ndër evenimentet më të rëndësishme për Teatrin Kombëtar për sa i përket pjesëmarrjes në festivale, pasi pjesëmarrja në këtë festival është pjesëmarrja që synohet nga teatrot më prestigjioze në Europë.Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›