E Diel, 1 Nëntor 2026

Joshua Martson: “Falja e gjakut” u frymëzua nga gazetat

SHKRUAN: Aida Tuci 17-02-2011 11:22

Debutimi i suksesshëm me filmin spanjoll “Maria Full of Grace” në Festivalin e Berlinit të vitit 2004, ku ai fitoi Ariun e Artë, i regjisorit amerikan Joshua Martson, e ka nxitur atë që të kërkojë sërish frymëzim jashtë vendit të tij. Filmi i tij i fundit tashmë në anglisht, kandidat sërish për Ariun e Artë, “Falja e gjakut”, e ka çuar regjisorin në Shqipëri, duke “ndjekur” me kamera historinë e një adoleshenti në mes të botës moderne, i cili jeton me frikën e gjakmarrjes. Në një intervistë dhënë për reporteren e Hollywood-it në Festivalin e Berlinit, Martson rrëfen “historinë” e tij shqiptare në Berlin.

Me Maria Full of Grace ju keni udhëtuar deri në Kolumbi. “Falja e gjakut” ju ka çuar në Shqipëri. Përse udhëtoni kaq larg nga shtëpia për të gjetur frymëzimin?

Kjo nuk ishte aspak e planifikuar. Mes dy filmave qëndrojnë në fakt disa projekte. U përpoqa të realizoja ndonjë prej tyre në Amerikë, por me atë (krizën) që ndodhi me ekonominë amerikane, ku u përfshi dhe industria e kinemasë, ishte e pamundur. Pas Marias kam shkruar një skenar për një shofer kamioni në Irak, i cili punonte për Haliburton. Ishte një skenar që e dëshironin të gjithë për të realizuar, por që kushtonte 20 milionë dollarë dhe kështu mbeti një projekt i pa realizuar. Atëherë vendosa të përshtas një skenar për 9 milionë dollarë, ku aktori kryesor ishte një fëmijë dhe jo një i rritur. Për këtë arsye udhëtova në Shqipëri, sepse mund të realizoja një histori të bukur me një buxhet të arsyeshëm. Që në fillim të këtij projekti kam qenë i vetëdijshëm se ky film do ta tërhiqte vëmendjen për shkak të historisë që rrëfehej dhe jo të emrit apo talentit të aktorit kryesor.

Si e gjetët historinë e djaloshit adoleshent, i kapur si në lak nga gjakmarrja?

Ideja e parë më erdhi nga një shkrim që lexova në gazetë. Çdo 6 muaj apo më shumë, një nga gazetat kryesore në gjuhën angleze shkruan histori rreth Shqipërisë, ku tema më e zakonshme është gjakmarrja. Por ajo që mua më ngacmoi më shumë nuk ishte thjesht fenomeni i gjakmarrjes, sepse këtë fenomen e gjen në çdo vend të botës, por bashkëjetesa e këtij fenomeni që vjen nga e kaluara me botën moderne. Këta fëmijë janë të mbyllur brenda mureve të shtëpisë dhe luajnë vidio-games, kanë celular, internet, tv satelitor. Pra, ata kanë gjithçka, por nuk mund të dalin jashtë mureve të shtëpisë, sepse dikush u ka zënë pritë për t’i vrarë, sipas një kodi të quajtur Kanun, që ka vepruar në shekullin e 15-të. Është ky kod që “bën” drejtësinë.

Si e zhvilluat këtë subjekt në film?

Në fillim kërkimet e mia u përqendruan për gati një muaj në Shqipëri, ku çdo ditë gjatë gjithë kohës së qëndrimit tim atje zhvilloja biseda dhe takoja njerëz të cilët ishin prekur nga ky fenomen. E nisa me familjet që ishin akoma në gjak, ku pashë sesi ishte jeta e tyre e mbyllur brenda katër mureve të shtëpisë, pa guxuar të dilnin qoftë edhe te porta. Aty gjeta kaq shumë histori, sa nuk mund t’i trajtoja të gjitha në një film. Disa, madje, ishin aq të pazakonta dhe aq të komplikuara, sa do ta kisha shumë të vështirë t’i shpjegoja në film. Atje ishte ky fëmijë p.sh. i cili ishte “arrestuar” brenda mureve të shtëpisë që kur ishte 5 vjeç dhe një ditë të bukur vendosi të dilte, sepse donte të merrte patentën e shoferit. Familja me të cilën ishte në gjak e kishte paralajmëruar se, nëse do ta shihnin jashtë, do ta vrisnin. Por ai tashmë e kishte vendosur. Kështu që ai për 5 javë merre çdo ditë biçikletën e tij dhe shkonte të merrte mësimet për patentë në një autoshkollë. Ai e mori provimin e kësisoj dhe patentën dhe u rikthye sërish në arrest shtëpie.

Edhe te filmi Maria Full of Grace gjithashtu trajtohet një skemë komploti e tipit hakmarrje…

Ky film përfundimisht nuk ka asgjë të përbashkët me Maria-n, janë dy ngjarje krejt të ndryshme. “Falja e gjakut” paraqet një histori ndryshe, një mendësi krejt tjetër ndjenje dhe paqeje. Por ajo që i bashkon ndoshta të dy filmat është ndjenja, por e shfaqur në mënyra të ndryshme. Me Maria-n nuk është në fokus të filmit gjetja e këmbëve të rrjetit të drogës apo mafia në përgjithësi, por eksperienca e një vajze në raport me këtë rrjet kriminal. Në filmin “Falja e gjakut” zgjodha të fokusohem jo te vrasësit, por te një fëmijë i cili përpiqet të bëjë një jetë normale, por që gjithmonë është me qimet përpjetë (nga frika). Kërkesa themelore për mua në gjetjen e një historie është mundësia e gjetjes së një rruge të re për trajtimin e saj. Mund të gjejmë aspekte të kësaj historie që janë vërtet dramatike, diçka që ne nuk e kemi parë asnjëherë? Kjo e bën atë interesante: të japësh një këndvështrim të ri të një historie që ne mendojmë se e dimë. Më pëlqen të zbuloj gjëra të reja, duke dalë dhe jashtë komoditetit tim personal, jashtë përvojave të mia personale. Përpiqem të shoh situata të reja me sy të freskët dhe jo me syrin e zakonshëm.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›