E Diel, 1 Nëntor 2026

Josip Kuzhe: Kemi shumë detaje që duhet ti rregullojmë për të ardhmen

Deklarata Drejtuesi i stolit kuqezi thekson se e ka përcaktuar formacionin titullar për eliminatoret

Me fitoren 1-0 përballë Andorrës, Shqipëria regjistron një triumf minimal në miqësore, pas atyre me Irlandën e Veriut dhe me Malin e Zi. Trajneri Josip Kuzhe e merr me humor faktin që kuqezinjtë nuk kanë arritur të shënojnë më tepër në portën kundërshtare dhe pas ndeshjes deklaroi: “Nëse arrijmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet eliminatore të Euro 2010 me rezultatin 1-0, unë do të jem i lumtur”. Me tej, tekniku kroat thekson se skuadra ka ende shumë detaje për të riparuar në lojën e saj, ku më kryesori është padyshim krijimi i besimit në fazën ofensive. “Jam i kënaqur për rezultatin e ndeshjes me Andorrën, edhe pse nuk mund të them të njëjtën gjë për lojën. Nëse e shohim me kujdes paraqitjen e Shqipërisë, mund të them se ka shumë detaje që mund të rregullohen”, u shpreh ai për “SuperSport”. “Gjithsesi, edhe pse nuk është një skuadër e madhe, Andorra luan e organizuar mirë dhe qëndron shumë në mbrojtje. Në këtë kuadër dhe përballë ekipeve të tilla duhet të fitojmë më shumë besim në fazën sulmuese. Gjithashtu në pjesën e dytë të ndeshjes kryem shumë zëvendësime. Kisha shumë lojtarë që dëshiroja t’i testoja në këtë ndeshje siç është Parid Xhihani, apo edhe ndonjë tjetër. Të gjithë ata futbollistë që u futën dhanë më të mirën në fushën e lojës”.
Trajneri Kuzhe nënvijëzoi se e ka përcaktuar formacionin titullar të përfaqësueses në eliminatore. Ai shtoi se në miqësoren e gushtit, e cila do të jetë testi gjeneral përpara nisjes së kualifikueseve kontinentale, kërkon një kundërshtar të ngjashëm me Rumaninë. “Tashmë e kam shumë të qartë potencialin e lojtarëve dhe e njoh mjaft mirë ekipin. Këto ndeshje ishin shumë të rëndësishme për t’u përgatitur për kualifikueset dhe për të formuar grupin me të cilin do t’i nisim ndeshjet zyrtare. Formacionin titullar e kam të përcaktuar, ndërsa për gushtin do të kërkojmë ekipe të ngjashme me Rumaninë, kundërshtarin e parë në eliminatore”. Drejtuesi i stolit foli edhe për spostimin e Andi Lilës në qendër të mbrojtjes, pas paraqitjes bindëse të lojtarit të Tiranës përballë Malit të Zi si shkatërrues: “Lila? Po vazhdojmë të kërkojmë lojtarë në qendër të mbrojtjes. Aty luajnë vetëm Cana dhe Curri, por mund të përdorim edhe Dallkun. Për këtë arsye testuam edhe Lilën në këtë pozicion, pasi po kërkojmë edhe një mbrojtës të katërt”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›