Shqipëria sulmuese vuan ndaj Andorrës
Kemi marrë një fitore 1-0, kemi ruajtur vazhdimësinë, por vërtetuam se kemi një Kombëtare që ka vështirësi të mëdha në ndeshjet ku i duhet të sulmojë kundërshtarin. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga miqësorja me Andorrën, e zhvilluar dje në mbrëmje në stadiumin “Qemal Stafa”. Ishte takimi i tretë në historinë dy kombëtareve, por i pari i zhvilluar në Shqipëri, i cili filloi me një minutë heshtje në nder të të ndjerit Besian Idrizaj, i cili humbi jetën nga një atak kardiak pak javë më parë. Kuqezinjtë dominuan totalisht kundërshtarin, i cili, ashtu sikurse pritej, kishte parkuar “autobusin” para portës, por Shqipëria në 90 minuta nuk mundi të shënonte më shumë se një gol. Trajneri Josip Kuzhe e nisi ndeshjen me më të mirët në dispozicion, ku alternoheshin titullarët e mbetur dhe një pjesë e të rinjve. Moduli dhe orientimi i lojës së tanëve ishte projektuar për të sulmuar gjatë gjithë ndeshjes portën kundërshtare dhe kështu ndodhi. Në 90 minuta u pa vetëm një dialog pa fund i sulmit shqiptar përballë mbrojtjes së ngjeshur të skuadrës më të dobët të Europës (vendi i 185-të në renditjen FIFA-s). Për të parë rastin e parë, u desh të prisnim minutën e 16, kur kapiteni Ervin Skela jep një kros për Salihin, i cili gjuan me të majtën nga jashtë zonës, por që shkon në duart e portierit Gomezh. Minutat në vazhdim propozojnë një gol të Vrapit, por që sipas gjyqtarëve maqedonas, nuk ishte i rregullt. Kërcënim për mbrojtjen kundërshtare ishin inkursionet e Hykës, i cili në një rast shmangu tre mbrojtësit kundërshtarë, por pengohet në zonë. Gjyqtari nuk mendon se duhet të japë 11-metërsh. Një goditje e bukur e Agollit vë në provë portierin kundërshtar, që reagon si duhet, duke grushtuar.
Për të ardhur te goli duhet të numërojmë 44 minuta, ku pas një harkimi të Vangjelit, Salihi, i gjendur i lirë në shtyllën e dytë, nuk e ka të vështirë të shënojë. Ky ishte goli i dytë në dy ndeshje, përfshirë dhe atë të shënuar në fitoren 1-0 kundër Malit të Zi, më 25 maj, në Podgoricë. Ose i treti në katër ndeshjet e fundit, por që e ngjit atë në kuotën e katër golave me bluzën e Kombëtares. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Shqipërinë. Pjesa e dytë nis me një rast tjetër të Salihit, i cili nuk mundi të shënonte edhe pse nga një pozicion i mirë. Pak minuta më pas është sërish sulmuesi shkodran që kërcënon, por nuk e gjen dot portën. Miqtë mendojnë shumë për mbrojtjen dhe rasti i vetëm vjen në minutën e 60, por që nuk e shqetëson Hidin. Në pjesën e dytë, Shqipëria freskohet me të rinjtë, të cilët kanë shansin të provohen, por pasi i bukur i Skelës për Bakajn, nuk shfrytëzohet si duhet nga ky i fundit. Në fushë zbret edhe sulmuesi Xhihani, në ndeshjen e parë historike me Kombëtaren. Debuton edhe Ditmar Bici në mbrojtje. Por Shqipëria nuk shkon më tej se një fitore 1-0. Nuk ishte një ndeshje shumë pozitive, pasi ekipi ishte shumë konfuz. Ekipet difensive janë shumë të vështirë për t’u çarë nga kuqezinjtë. Munguan shumë kroset nga krahët.
Kjo ndeshje i shërben trajnerit për një ide më të qartë rreth lojtarëve që kishte në dispozicion.