Klodian Duro: Për ne ka rëndësi mbrojtja e fortë
Përfaqësuesja shqiptare vazhdon të shfaqë probleme me skuadrat më të vogla në emër. Kjo u duk qartë edhe përballë Andorrës, ku kuqezinjtë nuk ishin shumë komodë në pozicionin e skuadrës që duhet të dominojë lojën dhe të krijojë sulme të vazhdueshme. Sipas mesfushorit Klodian Duro, për eliminatoret e Euro 2012, Kombëtarja duhet të përqendrohet më shumë në rreshtimin e një mbrojtjeje të kujdesshme, për të menduar më pas të dalë në kundërsulme për të rrezikuar portën kundërshtare. “Për Kombëtaren tonë është e rëndësishme të jemi të mirorganizuar në mbrojtje dhe më pas të dalë me kundërsulme të rrezikshme. Gjithsesi, dy fitore në dy miqësoret e fundit rrisin optimizmin brenda skuadrës, pasi na presin eliminatoret dhe ndeshjet zyrtare nuk janë larg”, deklaroi mesfushori i Apollonit në Qipro. “Pozitiv është fakti se arrijmë të fitojmë, pavarësisht se bëhet fjalë vetëm për ndeshje miqësore. Ky rezultat kishte rëndësi edhe sepse i dhuruam kënaqësi tifozëve. Nuk është asnjëherë e lehtë të luash kundër ekipeve si Andorra, të cilat qëndrojnë shumë në mbrojtje. Ndoshta në pjesën e dytë duhej ta kishim mbyllur takimin. Kjo fitore është e bukur, sepse vjen pas asaj në Malin e Zi. Por, ndeshja kishte vlera, edhe sepse u aktivizuan shumë lojtarë të rinj, të cilët duhet ta ndiejnë peshën e fanellës”.
#