E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet “Memoriali Nënë Tereza”

Projekti i qendrës kulturore dhe muzeale "Memoriali për Nënë Terezën" është prezantuar dje në një ekspozitë të çelur në galerinë FAP, në Akademinë e Arteve nga Fondacioni Kulturor “Nënë Tereza”. "Memoriali ngrihet në shenjë respekti dhe mirënjohje për veprën e humanistes shqiptare Nënë Tereza, si dhe për t'i bërë jehonë misionit të saj fisnik, mision i cili do të përforcohet dhe përcillet nëpërmjet ndërtimit të Memorialit për nder të saj. Ngritja e këtij memoriali është një domosdoshmëri reale për historinë tonë, është një obligim për një personalitet kaq të shquar, me vlera të jashtëzakonshme. Do të jetë një qendër kulturore, historike, shumë e rëndësishme për vendin tonë. Fondacioni kulturor 'Nënë Tereza' në bashkëpunim me MTKRS do japin kontributin e tyre për ngritjen e këtij memoriali. Sot fondacioni kulturor 'Nënë Tereza' ekspozon projektin dhe ne do t’ju ishim shumë mirënjohës për të gjitha idetë, për të gjitha sugjerimet dhe opinionet", tha Liri Berisha, presidente e fondacionit kulturor "Nënë Tereza". Ky projekt kap shifrën prej 1.3 milionë eurosh dhe është iniciativë e qeverisë shqiptare dhe fondacionit kulturor “Nënë Tereza”. Të pranishëm në hapjen e ekspozitës ishin ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferaj, si dhe arkitekti i projektit te memorialit, Marin Biçoku, i cili e ka konsideruar si një nga veprat më të rëndësishme kulturore. "Kur flasim për ndërtimin e një vepre arkitektonike, sigurisht që ajo nuk mund të bëhet realitet pa mbështetje dhe pa bashkëpunim", u shpreh Marin Biçoku, arkitekt. Ekspozita, e cila do të mirëpresë të gjitha mendimet e publikut, do të jetë e hapur deri në datën 15 shkurt.

Ky projekt, përveçse do të jetë një qendër muzeale në nderim të vlerave më të bukura dhe universale shqiptare, mendohet të jetë një qendër e vërtetë kulturore aktive në promovimin e vlerave të Nënë Terezës, mësimeve dhe aspiratave të saj për thelbin e përparuar dhe dimensionin thellësisht human të shoqërisë moderne. Projekti Memorial është konceptuar me bibliotekë, mediatekë me foto, video dhe audio nga jeta e Nënë Terezës. Memoriali për Nënë Terezën do të ngrihet në sheshin "Nënë Tereza" mes Rektoratit dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe do të jetë me 3 kate, ndër të cilët një nëntokësor. Ndërtesa do të përmbajë sallën e mikpritjes, sallën e leximit, muzeun, kopshtin për fëmijë, sallën e lutjes dhe oborrin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›