E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në “leksikun” e E. Ramës: Na i vodhën votat = Ua vodhëm!

19-07-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Kërkon të vësh vetullat e nxjerr sytë!

Ajo që i ndodhi E. Ramës në Lezhë mos i ngjaftë as hasmit, po të përdorim një lokucion. Dërgoi ekipin e specializuar në Lezhë dhe puna i shkoi për lesh! Si piktor, deshi t’ia zbukurojë vetullat nimfës së tij, por i nxori sytë! Si stalinist ( çdo enverist është edhe stalinist), mund të jesh edhe në pakicë votash, por – pa u zgjatur – gjeorgjiani i kuq kishte dhënë disa udhëzime antiligjore sesi minoranca e votave të shndërrohej në shumicë... Vetëm se në një sistem pluralist nuk ecin ato metodat e Stalinit, qoftë edhe të Enverit kur, në zgjedhjet me gogla, merreshin sferëzat e njërës kuti (asaj  të pazbukuruarës), dhe derdheshin te tjetra, me dafinë e lule rreth e përqark. Si do të dilnin rezultatet afër 100 përqindëshit?
Ja që në Lezhë, në një rinumërim votash, doli ajo që Edi Ramës ia bëri prestigjin thërrime, nëse i kanë mbetur ende disa copëza prestigji. Flasim për prestigj, sepse nuk ka politikan në botë që, në  prag të zgjedhjeve, t’i  bëjë injorantët, militantë të tij, të qeshin me zor, sesi i quan breshkat, si astmatik që është: ‘Sala’, “Saliu’... - Eja e më gudulis pak që të qesh, -  thoshte dikur një humorist, për një batutë që hokatarin s’e  bënte aspak për të qeshur! Lajmi i blofit të PS-së ka marrë dheun dhe përsëritja, - kurdoherë me veshjen e monotonisë,-  këtë herë është bërë e pandalshme, e domosdoshme, mbase edhe paksà simpatike...
Edhe mua më duhet të citoj nga “55-a” e 18 korrikut: “Në 5 Qendra Votimi, PS-së i janë shtuar padrejtësisht votat, duke falsifikuar rezultatin e shënuar në procesverbal. Në Qendrën e Votimit 07081, pas rinumërimit kishte 89 vota; ndërsa, në fotokopjet e procesverbaleve të dorëzuara, rezultonte me189 vota (Punë e madhe: një 1-sh para 89-s! - shënimi im). Edhe në QV-në 0770, PS-së i ishin shtuar 169 vota, nga 22 që kishte pasur realisht në kutitë e votimit. Pas zbardhjes së këtyre shifrave, PD-ja siguron mandatin e katërt  në Qarkun e Lezhës”. Në kontestimin në KQZ, PS-ja kishte shkuar si dashi te kasapi, duke e dashur edhe ajo rinumërimin, meqë donte të ndiqte  tertipin e Ramës, të cilit veçse ia vjedhin votat, ndërsa ai vetë, - upupu! ç’është ajo! - nuk bie në mëkate të tilla, që të vërë në dorë gjënë e tjetrit! Prandaj paskësh mbetur vetëm me 3000 euro, madje edhe me shtëpi... me qira – i shkreti! Veçse na doli që PS-ja vodhi jo vetëm PD-në, por edhe LSI-në, aleaten e saj! Përfaqësuesi i LSI-së në KQZ, u lëshoi kolegëve të PS-së një pasthirrmë si ajo e Jul Cezarit ndaj Brutit: - “Ore, po ç’paskeni bërë, kështu?”. Në asnjë rast nuk kishte dalë numri i votave ashtu sikurse kishte pretenduar PS. Kryetarja e KZAZ-së dhe sekretari i saj, duhet të përgjigjen penalisht, sipas mendimit të shumë komentuesve. Kuptohet se kishte mbetur e pakënaqur edhe kandidatja për deputet e Qarkut të Lezhës, bashkëshortja e kryetarit të LSI-së, Monika Kryemadhi. Në komentin e një gazete tjetër të përditshme shohim një koment me një titull në latinisht, që mund të përkthehet “Erdha, pashë, vodha”. Është një parafrazim i origjinalit “Erdha, pashë, ika”. Autori shkon edhe më tej dhe  merret me një atentat ndaj Kushtetutës, sipas së cilës nocioni “Kryeministër “i zgjedhur”, quhet një akt tjetër i turpshëm i E. Ramës, i përsëritur edhe nga të tjerët, pas tij. Me të drejtë vërehet se kryeministër apo edhe president “i zgjedhur” ka kuptim kur zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, me referendum”. Do të shtoja se PS-ja s’ka juristë  për të qenë ose mund të ketë edhe disa, por që nuk guxojnë  t’i kundërvihen kryetarit të tyre me tiparet e një diktatori, që edhe halucinacionet i merr për të vërteta, siç e kemi parë në shumë raste, në gafat e tij të përsëritshme. Por a nuk i kanë ndjekur zgjedhjet e fundit në Itali, kur Presidenti Napoletano caktoi disa persona për kryeministër gjersa vetëm njeri u përcaktua nga Parlamenti. Në rastin tonë le të presë edhe ky yni gjersa të emërohet nga parlamenti, me propozim të  Presidentit të Republikës! Një shtesë tjetër: mos të krijojë tituj honorifikë të sajuar nga ata që duan t’ia krehin bishtin me tituj antikushtetues! E dimë të gjithë që s’i pritet. Por... gajret gjer në shtator!
Lezha i dha edhe një mësim të mirë Ramës, për atë lajtmotivin “M’i vodhën votat”! Tani po shohim se kush është vjedhës i votave! Së paku të na pushojnë veshët rehat. Le të mësojë nga përvoja. Por a është nga ata që mëson nga pësimet E. Rama?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›