E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: “Do t’i japim garanci çdo anëtari, që zëri i tij do të dëgjohet dhe kontributi do të vlerësohet”

19-07-2013 / Gazeta 55

Kandidati për kryetar të PD, Lulzim Basha prezanton platformën për drejtimin e partisë në Vlorë, Shijak, Fushë - Krujë dhe Krujë


Kandidati për kryetar i PD, Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e Partisë Demokratike, në Vlorë, Shijak, Fushë - Krujë dhe Krujë. Zoti Basha ka garantuar anëtarët e vjetër dhe të rinj të Partisë Demokratike, se nëse zgjidhet kryetar i PD, baza e kësaj partie do të lartësohet në një piedestal të ri statutor, duke u bërë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes në PD. “Mijëra mesazhe nga themelues qëndrestarë dhe anëtarë të rinj të PD ma kanë mbushur zemrën që sot me optimizëm, jo vetëm sepse kanë mirëpritur projektin tim por sepse që sot kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të bërë gjithçka që Partia Demokratike të kthehet një orë e më parë në drejtimin e ëndrrës tonë evropiane. Dua t’ju them sot nga Vlora, se në statutin e ri të PD, ne do ta lartësojmë anëtarësinë dhe bazën e PD, në një piedestal të ri statutor. Kjo nënkupton vendosjen me votë të çdo procesi, nga emërimet dhe përzgjedhjet e kryetarëve bazë të seksioneve, grup-seksioneve, degëve e deri tek përzgjedhja e më të mirëve mes nesh, për tu përballur në betejat tona politike, lokale dhe qendrore“ – theksoi z. Basha. Zoti Basha ka theksuar se vetëm pasi t’i japim garanci çdo anëtari, që zëri i tij do të dëgjohet dhe kontributi do të vlerësohet, Partia Demokratike do të jetë më e fortë për luftën opozitare dhe rrugën për tu rikthyer në pushtet. “Si partia që jep garanci që zëri i çdo anëtari të dëgjohet, që kontributi i çdo anëtari ndër vite e deri më sot, të përkthehet në meritë transparente para anëtarësisë, jemi gati të nisim që sot luftën opozitare më të paepur por dhe rrugëtimin tonë më të vendosur, drejt rikthimit si mazhorancë zyrtare në Shqipëri”- deklaroi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›