Jozefina Topalli: Kombi ynë ka disa data të rëndësishme të lidhura me SHBA-të

Sekretarja e Shtetit Clinton në Kuvendin e Shqipërisë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë
Në një sallë të zbukuruar me simbole kombëtare dhe të mbushur plot me të ftuar , Sekretarja e Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ishte mysafire në Kuvendin e Shqipërisë, nga ku edhe përshëndeti përzemërsisht shqiptarët me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Fillimisht, në fjalën e saj të mirëseardhjes, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli e quajti vizitën e Clinton si xhevahiri në kurorën e 100 vjetorit të Pavarësisë. Kryetarja e Kuvendit, në fjalën e saj theksoi se, “padyshim, është moment i shënuar, vizita në Shqipëri e Sekretares amerikane të Shtetit, por vizita e Hillary Clinton është ngjarje historike, e përveçse e bukur shumë emocionuese”. Kryetarja e Kuvendit Topalli vlerësoi se, “përvjetorët janë gjithmonë te rëndësishëm, dhe ky është edhe me i veçanti, dhe si i tillë ai festohet me mikun, me atë që të gjendet ne dite të mirë e të vështirë, festohet me miqtë e mëdhenj, me miqtë e jetës. Vendi juaj është miku i madh i shqiptarëve, ju personalisht zonjë, jeni për ne shqiptarët mike shumë e çmuar dhe e veçantë e jona. Celebrojmë 100-vjetorin e shtetit, i cili ndoshta nuk do ishte sot, apo nuk do kishte këtë moshë, nëse Presidenti Wilson nuk do kishte ngritur zërin në një moment vendimtar për ekzistencën tonë. Sot të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë, janë të lirë, e festojnë 100-vjetorin, çka mbase nuk do kishte qenë e mundur nëse Presidenti Clinton në 1999, të mos kishte vendosur të çlironte gjysmën e kombit”, vlerësoi Topalli. Sipas saj, “kombi ka disa data të rëndësishme, së pari historia e krijimit të shtetit shqiptar është e lidhur me SHBA-në; së dyti, historia e rrëzimit te sistemit represiv në 1990 është e lidhur me SHBA-në; së treti, historia e çlirimit të Kosovës është e lidhur me SHBA-në; së katërti anëtarësimi në NATO është i lidhur me SHBA-në”.
Gjithashtu Topalli nënvizoi se shqiptarët sot festojmë jubileun, si qytetarë të lirë, në një Shqipërie demokratike, anëtar e të NATO-s. “Kjo nuk do kishte qenë e mundur në qofte se Presidenti Bush nuk do kishte mbështetur Shqipërinë për të marrë ftesën në NATO, ne vitin 2008. Sot, ky komb i lirë, krenar në vendin e tij, jep kontributin e vet në çdo pikë të globit, ku SHBA janë të angazhuar për paqen globale, e vlerat universale të demokracisë. Kjo do kishte qenë e pamundur, pa ndihmën e bashkëpunimin e paçmuar, e të përditshëm mes administratës të Presidentit Obama, Juve personalisht zonja Clinton, me shtetin Shqiptar”, nënvizoi Topalli.
Më pas kryetarja e Kuvendit përshëndeti zonjën Clinton me një është një arsye më shumë, “që në këtë ditë të shënuar me kaq shumë simbolika brenda tij, kam nderin që si grua parlamentare, në krye të Kuvendit të Shqipërisë t’i uroj mirëseardhjen me gjithë zemër një gruaje të madhe, të admiruar në vendin e saj e kudo ne bote, modelit të çdo gruaje, të çdo vajze në botë; lideres, që është kthyer në fuqi emancipimi, inspirueses të miliona grave kudo në botë, por jo vetëm të grave, ajo frymëzon burra dhe popuj të shumtë që luftojnë për liri e dinjitet”, vijoi ajo.
Në përfundim Kryetarja Jozefina Topalli në emër të Kuvendit të Shqipërisë, i dhuroi Sekretares Clinton botimin special të Kuvendit të Shqipërisë me Aktet e Themelimit të Shtetit Shqiptar. “Ky Parlament ka pritur dhe ka pasur fjalën e shumë liderëve të ndryshëm në botë, por kjo e sotmja, në këtë ditë, në këtë vit, e Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton ishte xhevahiri me kurorën e historisë sonë kombëtare. Duke i’u marrë leje, do të më lejoni që në emrin tuaj në shenjë mirënjohjeje, me modesti, t’i dhurojmë Botimin e Kuvendit të Shqipërisë, Dokumentet e Themelimit të Shtetit Shqiptar”, përfundoi ajo.