E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeverinë e dogji Gërdeci

Nëse një pjesë e mirë e aleatëve të PD-së bën “moderacionin, më i drejtpërdrejtë është Nikollë Lesi i Lidhjes Demokristiane. Lesi thotë se kryeministri Sali Berisha me këtë kabinet e shpie shumicën në pushtet drejt humbjes në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës, dhe se ai duhet të ndryshojë patjetër ministrat. Ndërkohë, Nikollë Lesi konfirmoi se shumica i ka votat e mjaftueshme në Kuvend, gjë që nuk përbën shqetësim, por thelbësor është ndryshimi i qeverisë. Sipas Lesit, kryeministri nuk e ka aspak mirë që nuk ndryshon qeverinë. “Unë mendoj se kryeministri e ka shumë gabim që nuk ndryshon qeverinë. Kjo qeveri është e fundosur dhe e djegur në Gërdec. Faktet tregojnë se mandati i kësaj qeverie është i djegur. Kryeministri duhet të riformatojë qeverinë që mund të quhet “Berisha 3”, por jo me pazare numrash që ekzistojnë në Parlament, por me personalitete të mazhorancës”, - tha Lesi. Ai shtoi gjithashtu, se duhet rikonfirmuar qeveria pas ngjarjes së 15 marsit në Gërdec, sepse në të kundërt, “jemi të detyruar të pësojmë humbje në vitin 2009, pasi janë shumë Gërdec që mund të shpërthejnë nëpër ministri”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›