E Diel, 1 Nëntor 2026

Heqja e TVSH, bllokohet taksa për shtypin e huaj

 

BLEDAR HOTI

Mungesa e numrit të duhur të deputetëve çon në mosvotimin e projektligjit “Për heqjen e tatimit të vlerës së shtuar për shtypin e huaj në Shqipëri”.Opozita ka qenë kundër këtyre ndryshimeve, duke shprehur se ka synime që ndikojë në politikat e qeverisë, si dhe kërkoi heqjen e TVSH dhe për librin. Një gjë e tillë u kundërshtua nga ana e ministrit të Financave, Ridvan Bode. Opozita nisur nga kontestimet e maxhorancës, ndikoi në mosvotimin e këtij projektligji, duke mos votuar për këtë projektligj të qeverisë. Deputetët e së majtës kanë shfrytëzuar momentin, pasi seanca drejtohej nga nënkryetari i Kuvendit, socialisti Ylli Bufi. Në momentin e votimit rezultoi se 50 vota ishin pro, 1 kundër dhe 13 abstenime. Kjo bëri që deputetët e opozitës të kërkojnë votimin për prezencën në seancë, pasi në votimin e projektligjeve duhet të jenë të paktën 71 deputetë. Pas realizimit të kësaj, ka rezultuar se në sallë ishin 68 deputetë. Nënkryetari Bufi ka kërkuar shtyrjen e seancës deri në mbledhjen e deputetëve, por kjo gjë ka irrituar maxhorancën, e cila i ka kërkuar Bufit të realizojë numrin fizik të të pranishmëve, pasi socialistët nuk morën pjesë në votim. Por taktika e mosvotimit e hedhur nga PSD e Gjinushit, solli më pas mosvotimin e këtij projektligji. Ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar të ndryshuar”, konsistojnë në: “Përjashtimin nga TVSH-ja të furnizimit të mallrave dhe shërbimeve nga organizatat jofitimprurëse që kanë objekt sigurimin e përfitimit publik, kur  çmimet e këtyre mallrave dhe shërbimeve janë dukshëm më të ulëta se çmimet e tregut, shtyrjen për një afat të barabartë ose më të madh se një vit, në varësi të ciklit të investimit, skema e pagesës së TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e importuara nga personat e tatueshëm, në funksion të veprimtarisë së tyre ekonomike; përjashtimin nga TVSH-ja të furnizimit në import i periodikëve dhe revistave”. Gjithashtu me këtë draft saktësohen procedurat për pagesën e detyrimeve tatimore nga personat jorezidentë shqiptarë, që nuk kanë emëruar përfaqësues tatimorë. Pagesa e këtyre detyrimeve do të bëhet nga përfituesi vendas i furnizimit, në përputhje me përvojën ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së. Deputeti i PS-së, Erjon Braçe dhe ajo e PSD-së, Diana Çuli kërkuan heqjen e TVSH për librat, që vijnë nga jashtë dhe për makineritë. Por një gjë e tillë u kontestua nga ana e ministrit Bode. “Në këtë kuadër vijnë edhe ndryshimet në këtë ligj. Përjashtimi i TVSH-së për librat e huaj dhe OJF-të, është  pjesë e favoreve për biznesin dhe qytetarët. Janë ligje që ulin nivelin e taksave dhe zgjerojnë hapësirat për biznesin”, deklaroi ministri Bode. Lidhur me TVSH-në për makineritë dhe pajisjet, ministri Bode u shpreh se, “kemi zgjatur në 2 vjet afatin e pagesës së TVSH-së për biznesin, dhe mendoj se përtej afat 2- vjeçar, nëse ka investime që kërkojnë kohë të gjatë për t’u futur në prodhim, të zgjatet afati i pagimit të TVSH-së, por investime të tilla janë të rralla dhe kanë vlera të mëdha”. Socialistja Meksi propozoi heqjen e TVSH për librat, që shpërndahen për arsimin shkollor të detyrueshëm, por kjo nuk u pranua nga ana e Ministrisë së Financave. Deputetët e opozitës kundërshtuan ndryshimet në ligjin e TVSH-së, me argumentin se ndryshimet e shpeshta në ligjet e politikës fiskale dëmtojnë biznesin dhe prishin konkurrencën e ndershme në treg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›