E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jubileu i Javës së bibliotekës

Sot, më 11 prill, në orën 11:00, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës do të bëhet hapja solemne e Edicionit të dhjetë të manifestimit me karakter ndërkombëtar ‘Java e Bibliotekës në Kosovë’, i cili organizohet nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Në hapjen solemne të këtij manifestimi fjalë rasti do të mbajnë: Sali Bashota, drejtor i BKUK-së, Ramë Buja, ministër i MASHT-it, Hajdin Abazi, Zv.ministër i MKRS-së, Paul Engelstad, zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, dhe gjithashtu do të prezantohet një video-mesazh nga Michael McMlellan, ish- Zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë.

Gjithashtu, do të shfaqet filmi dokumentar “Java e Bibliotekës në Kosovë”, si dhe do të hapet ekspozita e fotografive të këtij manifestimi gjatë nëntë viteve të kaluara.

Në kuadër të manifestimit ‘Java e Bibliotekës në Kosovë’ do të ligjërojnë ekspertë të njohur të Bibliotekës së Kongresit Amerikan: Grant Harris, shef i Koleksioneve Evropiane, si dhe Jason Yasner, menaxher i Bibliotekës Digjitale Botërore.

Përveç ekspertëve nga Biblioteka e Kongresit, me kontributet e tyre do të paraqiten edhe ekspertë nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si dhe nga biblioteka të tjera të rajonit.

Ky manifestim do të ketë edhe aktivitete të tjera të rëndësishme siç janë: Dita e Dhurimit të Librit, tryeza e Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës, organizimi i sesionit profesional ‘E ardhmja e Bibliotekave’, ku do t’i paraqesin kumtesat e tyre përfaqësues të bibliotekave të Kosovës, pastaj ekspozita e fotografisë nga koleksioni i Bibliotekës së Kongresit, përgatitur nga Paul Engelstad, ekspozita ‘Libri në fondet e BKUK-së në dhjetë gjuhë’, si dhe do të organizohen programe arsimimi në gjuhë angleze në Këndin Amerikan.

Gjatë Javës do të ketë prezantime dhe ligjërata në Universitetin Amerikan në Prishtinë, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, pastaj në Universitetin Publik të Prizrenit, në Bibliotekën e Prizrenit etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›