Perandori vjen në shqip

“Perandori e niste ditën me dëgjimin e spiunllëqeve. Nata është e rrezikshme, e volitshme për komplote dhe Hajle Selasje e dinte se ajo që ndodh natën është më e rëndësishme nga ajo që ndodh ditën, veç kësaj, ditën i kishte të gjitha para syve, kurse natën ishte e pamundur.
Ja përse u jepte rëndësi raportimeve të mëngjesit”. Perandori i Etiopisë i jepte shumë rëndësi të dëgjuarit, ndaj dhe në oborrin e tij ishte shumë e zhvilluar “kultura e spiunimit”. Një kulturë kjo e zhvilluar jo vetëm në perandorinë afrikane, por në të gjitha oborret e perandorëve dhe diktatorëve. E ndoshta kjo është një nga arsyet pse libri “Perandori” i gazetarit polak Ryszard Kapuscinski, i duket aq i afërt lexuesit shqiptar. Prej disa ditësh, një nga veprat më të njohura të “princit të reportazhit” ka ardhur edhe në shqip nga shtëpia botuese “Papirus”, nën shqipërimin e Astrit Beqirajt.
“Perandori” është botuar për herë të parë në vitin 1978. I përkthyer në 32 gjuhë të botës, ai është një nga 150 librat më të lexuar gjatë shek. XX. Për të na treguar të tatëpjetën dhe rënien e regjimit të perandorit Haile Selassie në Etiopi, ai nuk përzgjedh një rrëfim kronologjik me ngjarje dhe data, që jo rrallë bëhet i bezdisshëm. Kapuscinski ofron një rrëfim së brendshmi. Historia e perandorit na vjen përmes zërit të shërbëtorëve apo ministrave të oborrit.
Në një farë mënyre Kapuscinski ‘lufton’ me armët e vetë perandorit, duke shfrytëzuar të gjithë atë rrjet njerëzish, të cilët janë shumë afër tij. Përmes punës që bëjnë, njerëzit e fshehur pas inicialeve tregojnë zakonet e oborrit e perandorit. Por të gjithë këtë rrëfim e lidh pa dyshim vetë Kapuscinski, i cili jo vetëm na ofron rrëfimin e oborrtarëve në mënyrë të zhdërvjelltë e plot kolorit, por edhe përmes përshkrimeve, nga udhëtimi i tij në vendin e largët.