E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jugosllavia: “Bashkimi Sovjetik po “vjedh” naftën e Shqipërisë”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Beograd, 22 tetor 1950 – Jugosllavia është e shqetësuar për rolin që i është caktuar nga Kominternit i drejtuar nga sovjetikët, dhe akuzon se Rusia po ndërton folenë e saj ekonomike me shpenzimet e fqinjëve të saj evropianolindorë. Ndoshta asnjë vend tjetër nuk ka një mprehtësi më të qartë për politikat sovjetike sesa Jugosllavia. Deri dy vjet më parë, ajo ishte një partnere në Byronë Informative Ndërkombëtare Komuniste. Ajo e kishte modeluar ekonominë e saj nëpër gjurmët e asaj sovjetike dhe kishte nënshkruar vendime si Konventa e Danubit (1948), e cila mund të konsiderohet si më shumë në interes të Rusisë sesa të Jugosllavisë. Por kohët kanë ndryshuar dhe kështu ka bërë dhe sjellja jugosllave. Me një guxim, i cili mund të inatosë Kremlinin, shtypi i marshallit Tito ka akuzuar sovjetikët se kanë ndikuar në një sërë marrëveshjesh të pandershme në klikën e Komininternit, që variojnë që prej shfrytëzimit të Çekosllovakisë si një mulli për mallrat ruse deri tek “mjelja” e burimeve të naftës së Shqipërisë së vogël. Ironikisht, gazeta e rëndësishme “Politika” komentoi kohët e fundit se Rusia kishte firmosur marrëveshje me të gjitha vendet komuniste “ashtu siç mund të pritej” në bazë të praktikave të patolerueshme të të ashtuquajturave marrëdhënie socialiste, të cilat supozoheshin të kishin një atmosferë miqësie dhe mirëkuptimi reciprok”. “Se sa mirëkuptim reciprok ka ardhur nga kjo atmosferë”, - shkruante “Politika”, - “është pasqyruar më mirë në faktet e mëposhtme”: “Marrëveshja me rumunët u firmos në 17 shkurt, me Bullgarinë në 18 dhe me Çekosllovakinë në 22 shkurt. Brenda 5 ditëve tre vende të Evropës Lindore ranë dakord që të eksportonin 75 për qind të prodhimit total të eksportit të tyre drejt Bashkimit Sovjetik. Disa ditë më vonë, marrëveshje të ngjashme u negociuan me Hungarinë dhe Poloninë”. “Bashkimi Sovjetik, - shkruan “Politika” nuk i lejon këto territore evropiane (lindore) që të kryejnë shkëmbime tregtare mes tyre. Bashkimi Sovjetik e ka forcuar rolin e tij drejtues, për shembull... ka urdhëruar që tregtia me jashtë e këtyre vendeve të mund vetëm të zhvillohet përmes urdhrave dhe rregullave të Bashkimit Sovjetik”. Si një shembull, “Politika” mori Rusinë se po monopolizonte prodhimin çekosllovak dhe po jepte shumë pak në këmbim të kësaj”. “Në vitet e para të pasluftës”, - shkruante “Politika” tregtia me jashtë e Çekosllovakisë është orientuar gjithnjë e më shumë drejt Lindjes. Ky orientim ekonomik i pasluftës theksoi shumë shpejt Bashkimin Sovjetik si eksportuesin kryesor të produkteve të shumta të Çekosllovakisë, veçanërisht pas rezolutës së Kominternit. Që prej fillimit të 1948-ës, 70 për qind e tregtisë me jashtë është kryer me Bashkimin Sovjetik. Sot, përqindja e artikujve të eksportuar, të cilët prodhohen krejtësisht në Çekosllovaki po bien njëtrajtësisht dhe përqindja e mallrave të përfunduar dhe gjysmë të përfunduar të përpunuara nga lënda e parë sovjetike me porosi të sovjetikëve, po rritet”. Gazeta komentoi më tej: “Me ndihmën e udhëheqësve të bindur të Partisë Komuniste dhe qeverisë së Çekosllovakisë, përfaqësuesit sovjetikë kanë vendosur çmime në përputhje me interesat e tyre ekonomike me Çekosllovakinë në mënyrë që të gjitha produktet tu shkojnë për shtat interesave të tyre”. Shtypi zyrtar i Titos ka akuzuar gjithashtu se nafta e Shqipërisë po transportohet me cisterna nga bregdeti i vogël i këtij vendi gjatë natës dhe shitet në Itali si benzinë sovjetike. Jugosllavia pretendon se ngarkesat bëhen nga portet shqiptare të Durrësit dhe Vlorës, ndërsa trupat ruse qëndrojnë atje për të ruajtur ngarkesat. Në vitet e paraluftës, ishte Italia ajo që i shfrytëzonte fushat e naftës së Shqipërisë dhe investoi goxha para për të zhvilluar këto burime. Tani, në bazë të informacioneve që mbërrijnë këtu, rusët kanë marrë si interesat italiane të naftës në këtë vend ashtu edhe të vetë shqiptarëve pa hedhur as edhe një rubël. (Sipas versionit rus, kjo është vetëm një pjesë e një bashkëpunimi miqësor mes vendeve të Kominternit). Përllogaritjet jozyrtare e kanë çuar numrin e trupave ruse në Shqipëri deri në 20.000 plus qindra teknikë sovjetikë, të dërguar atje për të ndërtuar ekonominë e vendit. Jugosllavia ka ndjekur me kujdes dhe zhvillimet ekonomike të Rusisë me Bullgarinë. Artikujt e fundit në shtyp kanë parashikuar se fqinji i Jugosllavisë ndodhet në rrezik për tu transformuar në një shtet skllav nën perandorinë komuniste ruse. Pavarësisht drejtimit rus, këto histori dëshmojnë se Bullgaria ka dështuar të arrijë objektivat e prodhimit bujqësor të vendosura nga Moska, pjesërisht për shkak të kushteve të rritjes këtë vit dhe pjesërisht për shkak të fshatarëve vendas që kanë punuar me shumë pak përkushtim. Gazetat jugosllave pretendojnë se plani ekonomik i Bullgarisë as nuk i është afruar objektivit të tij. Për shembull: Prodhimi i mishit ka qenë 63%, i vezëve 75%, i lëkurës 57%, zhvillimi i kapitalit 87% ndërsa pagat e punëtorëve janë klasifikuar si “shumë të ulëta”. Dështimi i arritjeve të kërkesave të Moskës, mund ta frymëzojë Rusinë që të marrë plotësisht në dorëzim ekonominë bullgare, - thonë këto artikuj. Në një masë të madhe, Rusia ka bërë shumë hapa përpara në këtë drejtim. Moska i çon kërkesat e saj në maksimum dhe bullgarët duhet të jenë të kënaqur me atë çka mbetet. Duke komentuar për situatën ekonomike në Hungari, organi zyrtar qeveritar i shtypit, “Borba”, shkruan se në vendin fqinj ekziston papunësia e përhapur në masë, pavarësisht pretendimeve të Kominternit për të kundërtën. Gazeta shkruan gjithashtu se gjatë viteve të planit 3-vjeçar, (të Hungarisë), i cili bazohet në rindërtimin e vendit, hungarezët e panë veten të paaftë që të zgjidhnin problemin e papunësisë”. “Borba” pohoi në të njëjtën kohë se të paktën 50.000 punëtorë vetëm në industri, do të ngeleshin pa punë pas planit 5-vjeçar ekonomik të Hungarisë. Gazeta shkruante gjithashtu se udhëheqësit hungarezë shpresojnë që të “zhgënjejnë” popullin në shtëpi, duke i bërë të besojnë se “papunësia nuk ekziston në vendin e tyre, por ajo ekziston në Jugosllavi”.

Ky lajm është publikuar: 09/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›