Julia Roberts Ha, lutu, dashuro!
Julia Roberts kthehet në ekran me “Eat, Pray, Love”, bazuar në autobiografinë bestseller të Elisabeth Gilbert dhe nën regjinë e Ryan Murphy. është historia e një amerikaneje të lodhur nga jeta që ndërmerr një udhëtim për të mësuar kënaqësinë e të jetuarit, të ushqimit, meditimit dhe rizbulimit të dashurisë.
Një shfaqje e rrallë për Julia Roberts, një grua dhe një nënë e lumtur, që i bën me shumë kujdes zgjedhjet e saj kinematografike.
Në film, ashtu si edhe në libër, personazhi që ju luani i lë të gjitha për një vit. Keni bërë ndonjëherë diçka të tillë?
Po, kur isha 20 vjeç mora 2 vjet leje nga puna dhe kam udhëtuar, menduar mbi vetveten, edhe për gjëra të thjeshta të përditshmërisë. Ishte një vendim shumë i rëndësishëm dhe i bukur për jetën time.
E kishit lexuar librin më parë?
E lexova kur doli, por nuk ma merrte mendja se do të kthehej në një fenomen. Ndihem me fat që e lexova qysh atëherë, sepse nuk kisha asnjë paragjykim dhe thjesht u argëtova. Shkrimtarja është shumë inteligjente dhe ka një aftësi të jashtëzakonshme për të vëzhguar. është tepër tërheqëse mënyra sesi përshkruan vendet dhe njerëzit. Isha tepër e kënaqur prej idesë se do të përfaqësoja në film pasionin e saj për jetën, për vendet ku shkon dhe njerëzit që takon.
Nëse libri është një udhëtim zbulimi për autoren, teksa realizonit filmin, zbuluat edhe ju diçka nga vetja?
Pjesërisht: Liz udhëton tërësisht vetëm, çka e kam bërë edhe unë dikur, mund të hutohesh teksa ecën rrugëve të një qyteti të panjohur, apo të bësh pazar kur nuk di gjuhën. Më interesonte udhëtimi i saj, pa ditur ku do të përfundonte. Për mua ishte ndryshe, xhiroja me 150 veta të trupës, me familjen time, por në të njëjtën kohë edhe unë isha impenjuar të isha 5 muaj larg shtëpisë, në 4 kontinente të ndryshme: jam krenare që kam ende një pasion kaq drithërues për punën time.
Si shkuan xhirimet nëpër vendet ku zhvillohet historia?
Për një aktor është e rëndësishme që të recitojë në vendin e duhur: të ndihmon që të transmetosh të njëjtat emocione që personazhi ka provuar duke udhëtuar. Ishte një kusht që vendosa qysh në fillim: doja të haja në restorantet e vërtetë, të përshkruar në libër, të udhëtoja në të njëjtat vende, të shikoja ato ishuj, të takoja ata elefantë, të rrija në çatinë e ashram në Indi. Aty personazhi im ka një bisedë të gjatë me Richard Jenkins, një nga skenat dhe vendet e mia më të preferuara në të gjithë filmin.
Më shumë se Italia?
Ta hajë dreqi, shtova 5 kile në Romë, s’bënim gjë tjetër, veçse hanim. Dhe unë haja vërtetë. Nuk bëja gjoja sikur fusja ushqimin në gojë, për ta pështyrë menjëherë më pas... si t’i rezistoje atyre makaronave me domate? E vërteta është që në Romë është vështirë të hash keq. është hera e tretë që punoj aty dhe është gjithnjë bukur të kthehesh. është një qytet që të pret me shumë dashuri. Dhe një nga arsyet që ajo zgjedh të shkojë në Romë është pikërisht kjo: të shijojë veten duke u kujdesur për veten, edhe pse kjo do të thotë të hash shumë makarona e shumë pica.
Ju pëlqen të gatuani?
Shumë. Kam një fermë të vogël, më pëlqen të punoj tokën dhe të gatuaj dhe sigurisht edhe të ha. Kështu që unë kam një raport shumë produktiv me ushqimin. Nëna ime ishte një kuzhiniere shumë e mirë dhe na ka rritur me prodhimet e kopshtit të saj. Për mua është pjesë e jetës normale të gatuash dhe të kesh gjëra të freskëta në shtëpi. Nuk mund t’jua shpjegoj kënaqësinë që kam ndierë, kur fëmijët e mi hëngrën për herë të parë një lloj perime, disi të hidhur që kemi në Kaliforni. U thashë që vinte nga kopshti ynë dhe që të bënte mirë dhe ata e vlerësuan këtë... Nuk njoh fëmijë të tjerë që mund ta kapërdijnë.
Dukeni e kënaqur si nga puna, ashtu dhe nga jeta personale, ka ndonjë vend ku shkoni për të gjetur paqen e brendshme?
Familja ime është vendi më i sigurt për mua..., por kam edhe një dhomëz ku kam një makinë qepëse, shtizat për të thurur triko e gjëra të tilla. Ajo është qoshja ime e qetësisë. Nuk mund të kaloj shumë kohë aty, por është bukur të dish se ekziston.
Meditoni?
Këtë po, e bëj shpesh.
Arrini të bëni një jetë normale prej mamaje. ç’raport keni me prindërit e tjerë?
çuditërisht, po. Nuk e kam shumë të vështirë. Bëjmë një jetë normale bashkë me familjet e tjera të rrugës sonë dhe të shkollës. është një komoditet i vërtetë, ta kesh një gjë të tillë.