E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për gjithë jetën burrë-grua, burrë-burrë, grua-grua!

Kristi Pinderi

Gazeta "Panorama" botoi të enjten (29 korrik 2010) një shkrim të z. Gjergj Metës, klerik i Kishës Katolike dhe zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore, në lidhje me "institucionin" e martesës ndërmjet burrit dhe gruas, një shkrim ky ku kundërshtohej martesa mes personave të së njëjtës gjini. Duke ndarë me opinionin publik një mendim personal, që përkon një më një me mendimin zyrtar të Kishës Katolike rreth martesës, don Gjergj Meta e titullonte shkrimin: "Për gjithë jetën burrë e grua", duke fyer kështu dashurinë dhe angazhimin personal të të gjithë atyre qindra e mijëra çifteve në botë...që nuk janë detyrimisht "burrë-grua", por "burrë-burrë", apo "grua-grua", pa pretendime që gjithë të tjerët të jenë si ata/ato, se përndryshe ndodh Kataklizma!
Kush e vendos nëse gjatë jetës tënde duhet të jetosh me një grua, apo me një burrë? Që ti, të jetosh gjithë jetën me një njeri, a vendos për këtë familja? Apo vendosin shokët? Mos ndoshta shoqet? Apo e vendos Kisha dhe Xhamia? E thotë, e nënshkruan, e pastaj e miraton Kryeministri? Mos ndoshta Parlamenti? Apo secili e vendos vetë se me kë do të ndajë jetën e vet, të mirat e të këqijat e veta, mirëqenien apo mjerimin e vet, lumturinë apo trishtimin e vet…?
Shqiptarët i martonte dikur, - në shumë raste edhe tani, - familja! Për bashkëjetesën e tyre vendoste zakonisht kryefamiljari, ndërkohë që Partia duhet të jepte miratimin e vet. Nëse ishe ortodoks, përpara se vendi të shpallej ateist, duhet t'i bëje një kërkesë Kryepeshkopit (vetëm meshkujt mund ta bënin këtë kërkesë), ku t'i kërkoje nëse ai e miratonte dëshirën tënde për të jetuar gjithë jetën me X apo Y, apo jo!? Në të tilla raste, duhet patjetër të ishe i pagëzuar në atë Kishë! Nëse ishe katolik, musliman apo bektashi, duhet patjetër të merrje miratimin e religjionit përkatës… Ka pasur raste, kur shqiptarët kanë hequr dorë nga bashkëjetesa dhe martesa me njeriun që kanë dashur, vetëm sepse halla autoritare, tezja me "dy pare mend", kushërira "që di më shumë", daja "që të do të mirën", xhaxhai "që s'do ta kundërshtosh", apo kunata "që mezi e kemi", nuk e kanë dashur një gjë të tillë! Sa njerëz kanë gabuar duke iu nënshtruar këtyre rregullave të shkruara e të pashkruara? Sa njerëz kanë shkatërruar jetët dhe të ardhmen e tyre, duke bërë pikë më pikë gjithçka që ka imponuar shumica…?
Ky shkrim nuk është replikë me don Gjergj Metën, që shkruante se martesat e homoseksualëve do shkatërrojnë themelet e familjes dhe se kjo lloj martese brenda së njëjtës gjini nuk do mund të sigurojë dot vazhdimësinë biologjike të qenies njerëzore. S'mund të replikohet me këtë "argument", për sa kohë kushdo mund ta kuptojë se nëse dy homoseksualë vendosin të jetojnë me njëri- tjetrin, kjo bashkëjetesë e tyre nuk e pengon një çift heteroseksual që të lidhet, martohet e të lindë fëmijë, aq fëmijë sa të ketë dëshirë e mundësi për t'i rritur e kësisoj për të "lejuar vazhdimësinë e qenies njerëzore". Vërtet homoseksualët vendosin se çfarë do bëjnë heteroseksualët në krevatin e tyre…?!
Të drejtat e homoseksualëve, lezbikëve, biseksualëve, transgjinorëve apo dhe atyre që ende nuk e dinë se çfarë orientimi seksual kanë, janë pjesë e të drejtave themelore të njeriut. Përfshirë dhe të drejtën për të bashkëjetuar e për të pasur të paktën ligjërisht të drejtën për të ndarë me njëri- tjetrin të gjithë të mirat e të këqijat që vijnë nga një bashkëjetesë me vullnet të lirë, me të njëjtin tip vullneti që Zoti vetë, - apo Allahu, - e ka pajisur qenien njerëzore…
PSE TE DREJTAT E HOMOSEKSUALEVE JANE TE DREJTA THEMELORE TE NJERIUT?
Në nëntor të vitit 2006, përfaqësues nga të gjitha vendet e OKB-së, ekspertët më të njohur të ligjit ndërkombëtar dhe ekspertë të të drejtave të njeriut, u mblodhën në Yogyakarta, një prej provincave të Indonezisë, - vendi më i madh mulsiman në botë, - dhe nënshkruan Principet e Yogyakartës. Ky dokument argumenton dhe orienton se të gjitha konventat për të drejtat e njeriut, të nënshkruara nga vendet anëtare të OKB-së, janë të aplikueshme plotësisht edhe në lidhje me të drejtat e komunitetit LGBT. E thënë troç: nëse në Konventën për të drejtat e njeriut (në Shqipëri e kudo, ky është ligj mbi ligje, nën Kushtetutë) thuhet se, "çdo njeri lind i barabartë në dinjitet dhe në të drejta". Shqipëria ishte ndër vendet e para që i nënshkroi Principet e Yogyakartës dhe me këtë veprim pranoi, të paktën ligjërisht, se të drejtat e homoseksualëve mund të aplikohen në të gjitha konventat e të drejtave themelore të njeriut.
CILAT JANE TE DREJTAT E HOMOSEKSUALEVE?
Janë të gjitha ato të drejta që ka sot në botë çdo qenie njerëzore, por mbi të gjitha, e drejta për t'u përpjekur për të përmbushur lumturinë dhe përmbushjen si njeri i lindur i barabartë me këdo tjetër, në dinjitet dhe në të drejta, siç thotë Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut! Argumenti i nënkuptuar në shkrimin e Don Gjergj Metës është pak a shumë ky: "kufizimet e të drejtave të homoseksualëve nuk janë diskriminim, pasi shumica e shoqërisë, feja në përgjithësi, kultura dhe tradita e kanë dënuar homoseksualizmin".
Sigurisht që feja e ka dënuar realitetin e një djali që bie në dashuri me një djalë tjetër, apo të një vajze që bie në dashuri me një vajzë tjetër. E ka dënuar edhe tradita e njerëzimit që deri më sot i është dashur të jetojë me mijëra vite të padrejta torture, kryqëzatash, xhihadi, e lloj-lloj persekutimesh të tjera nën fe, e për hir të fesë… Por këtyre "argumentëve" ia ka dhënë përgjigjen Gjykata Ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, bazuar në ligjin ndërkombëtar: "sjelljet paragjykuese të maxhorancës heteroseksuale ndaj popullsisë homoseksuale, nuk mund të jenë justifikim për diskriminimin" (Rasti Lustig-Prean kundër Mbretërisë së Bashkuar, vendim i marrë nga Gjykata në vitin 1999, apo rasti S.L. kundër Austrisë në vitin 2003).
Pothuajse 1/3 e vendeve të OKB-së vazhdon ta dënojë si krim, e ta ndëshkojë me vdekje, me dënim të përjetshëm apo me vite të tëra burgim, dashurinë mes dy njerëzve që kanë të njëjtin seks. Pse feja nuk dënon publikisht varjen e qindra e qindra djemve në Iran, shumica e të cilëve janë varur në moshë minore vetëm pse kanë dashuruar një tjetër mashkull? Pse feja nuk është kaq e ndjeshme ndaj krimeve të tilla në të paktën 1/3 e vendeve anëtare të OKB-së…?!
* * *
Në shkrimin e botuar në gazetën "Panorama", më 29 korrik, z. Gjergj Meta u kërkon organizatave të shoqërisë civile që në vend që të merren me të drejtat e minoriteteve seksuale, të bëjnë dhe ndonjë punë për të ruajtur shëndetin e martesave të atyre shqiptarëve, që gjithnjë e më shumë kërkojnë zgjidhje të problemeve familjare përmes divorceve. A mundet Kisha apo feja në përgjithësi, të na thotë se sa njerëz divorcohen sot vetëm se pasi janë martuar për hir të fesë e shoqërisë, kanë kuptuar me vonesë se në fakt martesa, pavarësisht makinave të zbukuruara, ahengut e alkoolit të konsumuar me muzikë, është në fakt një zgjedhje personale e jo një detyrim i standardit të shoqërisë?! Kur Kisha u shërben të sapomartuarve, duke i pagëzuar e duke u vënë kurorë mbi kokë, a mendon edhe t'i asistojë shpirtërisht ata të rinj të martuar, për të qenë të vërtetë e të sinqertë "derisa vdekja t'i ndajë" nga njëri-tjetri?!
Në vend që të merremi me problemet shpirtërore, ekonomike dhe krizën e besimit të çifteve heteroseksualë, në vend që të merremi realisht me krimin në familje, me tradhtinë, me pabesinë bashkëshortore, me mungesën e motivimit shpirtëror të të gjithëve, sot merremi pa të drejtë me çiftet ende të pakurorëzuara homoseksualë! A thua se ata që duan të martohen e që ende nuk munden, po na e prishin familjen…
Po nuk është vetëm Kisha, nuk është vetëm Xhamia, e nuk janë vetëm institucionet religjoze që vuajnë ende nga këto komplekse, apo që këto komplekse që ia kanë injektuar vetë shoqërisë tentojnë t'i shfrytëzojnë për marrëdhënie publike personale… Kështu, si feja, mendojnë sot të gjithë ata që nuk besojnë e nuk duan të besojnë se në fund të fundit, triumfon dashuria… Ashtu siç don Gjergj Meta shkruante: Amor omnia vincit (Dashuria fiton mbi Gjithçka).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›