Protestat në Burrel dhe Tiranë, reagon Shkupi zyrtar

Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka reaguar kundër djegies së flamurit gjatë protestës së mbajtur në Burrel. Në një komunikatë lëshuar nga kjo ministri dënohet akti vandal si dhe thirrjet me përmbajtje fyese ndaj maqedonasve.
“Incidentet e këtij karakteri me rastin e djegies së flamurit dhe thirrjeve fyese gjatë protestës së mbajtur para ambasadës në Tiranë nuk shkojnë në të mirë të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë si dhe për ndërtimin e mirëbesimit midis dy popujve”, theksohet në komunikatën e MPJ-së së Maqedonisë.
Kjo ministri thekson në fund se prêt nga autoritetet qeveritare në Shqipëri që në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore të dënojnë këto incidente dhe të marrin masat për kapjen e autorëve. Gjithashtu kërkohet masa përkatëse për parandalimin e incidenteve eventuale të karakterit të njejtë fyes dhe të dhunshëm.