E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juria: "Me rrugët e Zguros, njohëm Tiranën"

Fitues të dicionit të 14-të të "Onufrit" janë Zguro, Zeneli, Muzzolini dhe Pema
Fani Zguro, Driand Zeneli, Bruno Muzzolini dhe Heldi Pema janë "tradhtarët" e "Onufrit 2007". Mbrëmë në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, u shpallën në një ceremoni modeste fituesit e edicionit të 14-të të Konkursit Ndërkombëtar të Arteve Pamore. Zguro u shpall fitues me videoartin "Street by street". "Puna që fitoi konkursin, ka një impakt të menjëhershëm. Ka pamje shumë të forta, pasi jep idenë e Tiranës së sotshme, parë me një forcë të madhe, por mbi të gjitha me shumë realizëm. Kam pak ditë në këtë qytet, që nuk e njihja më parë dhe dallova menjëherë ndryshimet e dukshme dhe kontradiktat që vihen re mes ndërtimeve të bëra në epoka të ndryshme. Është një moment ndryshimi, i një dëshire për t'u zhvilluar. Kjo punë paraqet pikërisht këtë moment. Sapo hyra në ekspozitë, puna që më goditi më shumë ishte pikërisht kjo, pasi njoha menjëherë qytetin", - thotë kryetarja e jurisë, Maria Campitelli kuratore e pavarur, e njohur në ambientet artistike pamore italiane.
Fitues i çmimit të dytë është Driand Zeneli me videoinstalacionin "Kur të rritem do të bëhem artist". "Është një punë interesante që përputhet me konceptin e konkursit, me tradhtinë, me mitin e Pigmalionit. Ai tregon historinë mbi tradhtinë ndaj artit nën regjim dhe vështirësitë për të qenë sot artist në kuptimin e vërtetë të fjalës. Të jesh sot artist në Shqipëri nuk është e lehtë", - vazhdon Campitelli.
Fituesi i tretë është artisti italian Bruno Muzzolini me videoartin metaforik "Ngricë". Krahas çmimeve tradicionale të sponsorizuara nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u nda edhe një çmim special që parashikon rezidencën në Milano të artistit Heldi Pema për tre muaj. Përveç Maria Campitellit, juria përbëhet gjithashtu nga Albes Fusha, fotograf dhe pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura, Ormira Lulani, specialiste e arteve pamore në MTKRS, Christine Frisinghelli, Drejtore e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Grac të Austrisë dhe drejtore e revistës artistike "Camera Art", Austri, Matteo Fochessati, kryekurator dhe kritik arti i "Netëork", Genova dhe Miami. "Niveli i përgjithshëm i ekspozitës është i mirë, me punë të ndryshme nga njëra-tjetra, një miks gjuhësor teknologjik. Kishte video, të cilat mbizotëronin dhe që fituan në mënyrë absolute, pikturë, instalacion, fotografi, pra të gjitha mënyrat e të shprehurit, që janë tipike të artit bashkëkohor. Më duket se artistët shqiptarë janë të ingranuar dhe janë brenda zhvillimeve të artit bashkëkohor. Ndoqa edhe punët e paraqitura në Bienalen e këtij viti në Venecia, të cilat patën një sukses shumë të madh, madje në një moment dukej se pavioni shqiptar do të ishte një nga fituesit", - thotë kryetarja e jurisë.
Edicioni i këtij viti, titulluar "Bërë meTradhti"/Betrayal in Art" u kurua nga Ervin Hatibi dhe Rubens Shima. Sipas kuratores italiane në pjesën dërrmuese artistët i janë përmbajtur konceptit kuratorial, por kishte edhe ndonjë që devijonte. "Kemi diskutuar shumë mbi këtë çështje, pasi kishte ndonjë artist që i devijonte konceptit. Ishte rasti i një piktori që kishte piktura shumë të bukura, por nuk më dukeshin shumë brenda. Kuptohet nga pikëpamja intelektuale, mënyrat e leximit janë të ndryshme, kështu që u pranuan", - thotë ajo.
"Onufit", një nga ngjarjet më te rëndësishme për Galerinë Kombëtare të Arteve dhe artin pamor shqiptar, është hapur deri më 30 janar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›