Pagat, 75 milionë USD më shumë taksa
Taksat do zhveshin pagat në masën 21.2% gjatë vitit 2008, duke i zvogëluar ato në vlerë reale
Që prej vendosjes së kësaj takse mbi pagat, niveli i tyre real ka pësuar një rënie të ndjeshme
Rritja e ndjeshme në të ardhurat e Buxhetit të Shtetit vjen nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale, që tashmë është në një nivel për të gjitha pagat. Niveli prej 10% i këtij tatimi ka bërë që një pjesë e mirë e pagave të ulëta të paguajnë një tatim rreth 3 herë më të lartë
Pagat do të taksohen më shumë gjatë këtij viti, duke sjellë një rritje në të ardhura në buxhet që shkon në 75 milionë dollarë. Rritja e ndjeshme në të ardhurat e Buxhetit të Shtetit vjen nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale, që tashmë është në një nivel për të gjitha pagat. Niveli prej 10% i këtij tatimi, ka bërë që një pjesë e mirë e pagave të ulëta të paguajnë një tatim rreth 3 herë më të lartë. Vetëm në 6-mujorin e dytë të këtij viti, janë realizuar një rritje prej 137% të këtij tatimi, konjukturë që do të vazhdojë edhe në vitin 2008.
Rrogëtarët, të penalizuar
Që prej vendosjes së kësaj takse mbi pagat, niveli i tyre real ka pësuar një rënie të ndjeshme duke përjashtuar nga kjo masë të gjithë pagat e drejtuesve të lartë të shtetit, që ishin më pak të favorizuar në rastin e taksës progresive. Punonjësit me nivele pagash të ulëta pësuan një rritje të madhe në tatim, ndërsa masa e marrë nga e qeverisë për zbutjen e kësaj takse duke përjashtuar 10 mijë lekëshin e parë, ishte e papërfillshme. Në këtë mënyrë qeveria ka bërë një llogari në rritje, për të shtuar të ardhurat në buxhet. Të ardhurat nga tatim-fitimi parashikohet që të jenë gjatë këtij viti 14.4 miliardë lekë, ndërsa ato nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale arrijnë në 16.2 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2007, të ardhurat nga tatimi i të ardhurave personale rriten me plot 6 miliardë lekë, ndërsa ato të Tatimit mbi Fitimin ulen me rreth 8.5 miliardë lekë. Efekti neto i ndryshimit të taksave për qeverinë në buxhet është vetëm minus 2.5 miliardë lekë.
Efektet në taksa
Kategoria e punonjësve që kanë pagat mbi 30 mijë lekë në muaj dhe poshtë 40 mijë lekëve, ngarkohen me një barrë më të rëndë se të tjerët. Kjo është edhe kategoria që tashmë po paguan më shumë nga vendosja e Taksës së Sheshtë. Ndërsa skema e propozuar nga qeveria zbut disi tatimin mbi pagën deri në 30 mijë lekë, pasi përjashton nga tatimi pjesën e 10 mijë lekëshit të parë të pagës. Ndërsa pagat mbi 30 mijë lekë nuk përfitojnë nga kjo lehtësi. Nëse shihet tabela e pagave, tatimeve dhe sigurimeve dhe pjesës që mbetet pas pagimit të tyre, duket mjaft qartë se ato paga që mbeten më të vogla në shifra, janë ato që janë më të mëdha se 30 mijë lekë dhe më të vogla se 50 mijë lekë. Kjo do të thotë se, ata që do të përfitojnë më pak nga paga, pavarësisht se edhe një vendim i fundit i qeverisë, gjoja rriti siç ishte premtuar pagat për Shëndetësinë dhe Arsimin, janë ata mësues të çfarëdolloj niveli arsimor, apo mjek, infermierë dhe sanitarë, të cilët kanë më shumë vite pune në kurriz. Përfshirë edhe punonjësit më të vjetër të rendit.
Rritja e taksave, efekti 190 mln USD
Rritja e akcizave dhe tatimit mbi të ardhurat personale do t'i sjellë qeverisë shtesën e nevojshme në të ardhura, për të mbuluar humbjet që do t'i vijnë nga ulja në 10% e Tatimit mbi Fitimin për biznesin e madh. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave parashikohet që në vitin 2008, të ardhurat shtesë nga akcizat të shkojnë në rreth 118 milionë dollarë ndërsa nga tatimi mbi të ardhurat personale 75 milionë USD. Rritja në të ardhura nga akcizat për këtë vit, vjen për disa arsye, një nga të cilat është edhe politika fiskale. Qeveria ka rritur gjatë fundit të vitit 2007 akcizat për karburantet dhe pijet e ndryshme. Një rritje të ndjeshme në të ardhurat e Buxhetit të Shtetit ka sjellë edhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale, që tashmë është në një nivel për të gjitha pagat. Niveli prej 10% i këtij tatimi ka bërë që një pjesë e mirë e pagave të ulëta të paguajnë një tatim rreth 3 herë më të lartë. Vetëm në 6-mujorin e dytë të këtij viti, janë realizuar një rritje prej 137% të këtij tatimi, konjukturë që do të vazhdojë edhe në vitin 2008. Në këtë mënyrë kostot e uljes së Tatimit mbi Fitimin në masën e 10%, duke vendosur një pjesë të taksave në këtë nivel, do t'i kushtojë më shumë konsumatorëve shqiptarë. Nga ulja e tatimit mbi fitimin nga 20% në 10%, buxheti i shtetit ka pësuar një humbje prej 104 milionë dollarë. Sipas Ministrisë së Financave, përgjysmimi i normës së tatimit të fitimit (nga 20% në 10%) për këtë vit, parashikohet të ketë impakt pozitiv në të ardhurat, pasi do të rritet baza e taksueshme si pasojë e rritjes ekonomike dhe përmirësimit administrativ e strukturor, (rritja e PBB orientohet nga sektorët që paguajnë tatim-fitimi). Gjithashtu, kjo masë fiskale parashikohet të ketë impakt pozitiv në ekonominë e vendit, pasi biznesi vendas do të inkurajohet të deklarojë shifra reale të bilanceve kontabël dhe klima do të jetë më atraktive për investimet, veçanërisht investimet e huaja direkte dhe indirekte.