E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ndalon ligji

Këndvështrimi ligjor në lidhje me debatin e hapur për ndryshimin, heqjen apo zhvendosjen e mozaikut në ballinën e Muzeut Historik Kombëtar
Pa hyrë në thelb të debatit të hapur kohët e fundit, nëse duhet apo jo që të ndryshohet, hiqet apo zhvendoset nga balli i ndërtesës së Muzeut Historik Kombëtar një vepër pamore e natyrës së mozaikut, duke u përpjekur të lë jashtë politizimin e çështjes nga krahë të ndryshëm, po përpiqem të paraqes shkurtimisht, trajtimin teknik që ligji shqiptar i bën këtyre çështjeve, duke parë se deri më tani vetëm ligjeve nuk i është referuar kush.
Në respekt të së vërtetës historike, për ata që nuk e dinë, duhet të themi se godina e Muzeut Historik u ndërtua në fund të viteve 1980, dhe u përurua në kuadër të 40 vjetorit të themelimit të P.K.SH në prag të Kongresit të 8-të të P.P.Sh-së, në vitin 1981. Për këtë investim publik, për mënyrën e hartimit të projektit të godinës (brenda dhe jashtë saj), për punën ndërtuese që u bë në mënyrë të veçantë nga mjeshtrat shqiptarë të ndërtimit, ish Kinostudioja "Shqipëria e Re" realizoi një film dokumentar, i cili shpjegon gjerë e gjatë historikun e ndërtimit të MHK-së. Po ashtu, në pikëpamje statistikore dhe kronologjike, godina e MHK-na rezulton gjithashtu se është i fundit investim i madh publik i këtyre përmasava, prej shtetit shqiptar. Prej 1981 e deri më sot, nuk kemi më asnjë investim kulturor të këtyre përmasave, përveç fjalëve dhe premtimeve që këtu e 25 vjet i merr si gjithmonë era me vete.
Çfarë vendi zë sot godina dhe institucioni në fjalë, në trashëgiminë materiale të paluajtshme të kryeqytetit tonë, Tiranës. Pas 27 vjetësh nga ndërtimi, godina e MHK-së është një nga pjesët përbërëse të ansamblit të shpallur dhe të njohur si Qendra Historike e Tiranës, me Vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2000. Referuar ligjit 9048, datë 07.04.2003 "Për trashëgiminë kulturore", i ndryshuar, neni 29, vërejmë se: "Qendrat historike janë kategori objektesh në grup, që ruhen në tërësinë e tyre si komplekse historiko-arkeologjike, monumentale, arkitektoniko-urbanistike dhe mjedisore dhe për këtë ndalohen ndërtimet e reja që prekin objektet ekzistuese, me përjashtim të rrjetit inxhinierik nëntokësor. Ky është përcaktimi i ligjit, pra që edhe për Qëndrën Historike të Tiranës (krahas qëndrave të tjera historike të vendit si në Korçë, Vlorë, Shkodër, Durrës, Elbasan, etj), kërkon që të ruhet, mbrohet dhe të administrohet në të gjithë elementet e saj, që përshijnë tërësinë e objekteve dhe veçoritë e tyre arkitektoniko-urbanistike.
Është shumë e vërtetë që tipologjia e QH të Tiranës mbart në vetvete tiparet dhe veçoritë e kohëve të ndryshme të pasqyruara në monumentet e periudhës së perandorisë otomane, në ndërtime popullore, të kultit, gjatë periudhës së mbretërisë, fashizmit, socializmit, kapitalizmit etj. Tiparet e këtyre periudhave gjenden të afishuara në monumente respektive. Për kuriozitet, nëse doni të dini p.sh: bishti i gjatë i sëpatës fashiste nuk është askush tjetër veç Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" i parë prej nga lart, i ndërtuar së bashku me godinat e ministrive në mes të viteve 1930; balli i godinës së Këshillit të Ministrave zbukurohet nga monumente tipike të socrealizmit; kurse Sarajet e Toptanasve na kujtojnë madhështinë e ndërtimeve otomane në Shqipëri etj.
Të gjitha këto veçori të monumenteve të ndryshme të QH të Tiranës, kanë bërë, që mbështetur ligjit "Për trashëgiminë kulturore", me Urdhër të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve t'iu jepet statusi i monumenteve të kategorisë II, ku ndër to edhe godinës së Muzeut Historik Kombëtar.
Po çfarë janë monumentet e kategorisë së II-të? Referuar nenit 27: këtë status mbrojtjeje e kanë të gjitha ndërtimet në Qendrat Historike, të pacilësuara monumente të kategorisë së I-rë. Ato ruhen në vëllime dhe përbërje arkitektonike të pamjeve të tyre të jashtme. Pra, me ligjin e trashëgimisë kulturore garantohet ruajtja, mbrojtja dhe restaurimi i pamjes së jashtme të monumenteve ku bën pjesë edhe MHK, së bashku me mozaikun, në ballë të tij. Më tej, aktet e tjera nënligjore parashikojnë që edhe kur ka nevojë për restaurim një monument i caktuar, restaurimi duhet të bëhet vetëm nga firma të specializuara dhe të licensuara për restaurimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore, pas aprovimit te projektit të restaurimit nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, pranë MTKRS. Arsyeja është e thjeshtë, ruajtja e monumentit dhe mosprishja e tipareve dhe veçorive që ai mbart. Këtu nuk po zgjatem më edhe me rekomandimet e UNESCO-së për Qendrat Historike, që në thelb kanë të njëjtën procedurë dhe masa mbrojtëse po aq rigoroze.
Së dyti, nuk duhet neglizhuar fakti se mozaiku i shumëdiskutuar është, përveçse pjesë ndërtimore e godinës (kjo në pikëpamje të ligjit "Për trashëgiminë kulturore), edhe një vepër e arteve pamore shqiptare, e krijuar dhe realizuar me grup autorësh.
Referuar ligjit nr. 9380, datë 28.04.2005 "Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera, të lidhura me të", neni 1: qëllimi i këtij ligji është mbrojtja e së drejtës së autorit dhe e të drejtave të tjera të lidhura me të;referuar Kreu III, Seksioni I të ligjit, neni 10 "Të drejtat vetjake jopasurore", pika ç kemi: "Autori i një vepre ka të drejtë të kërkojë respektimin e tërësisë së veprës dhe të kundërshtojë çdo heqje apo ndryshim që cënon nderin dhe emrin e tij". Kësisoj, edhe në këtë pikëpamje, një vepre artistike të arteve pamore nuk mund t'i preket asnjë fije floku pa lejen e autorëve të saj të cilët duhet të shprehen mbështetur ligjit.
Për sa më lart, mendoj se debati nuk mund t'i shmanget apo t'i shkojë kundër kuadrit rregullues ligjor. Duke respektuar ligjin dhe vetëm ligjin, mund të shmangim gabime dhe qorrollepsjet e radhës, për të cilat s'ka më nevojë njeri tash e kusur vjet.
Kryetari i bashkisë reagon për veprën murale të MHK
Rama: Kjo është politikë e dembelizmit mendor
Kryetari i bashkisë Edi Rama është ndodhur përballë një shqetësimi jo rutinë të qytetarëve të Njësisë Bashkiake Nr.9. Ata i kanë kujtuar kryetarit se muzeu historik kombëtar, objekt që ndodhet brenda kësaj njësie bashkiake, po i kërcënohet t'i hiqet një pasuri e trashëgimisë si mozaiku. Ky "problem kombëtar" sipas Ramës, "është shprehje e një fakti shumë të thjeshtë: Qeveritarët e sotëm, qoftë në nivelin e kryeministrit, qoftë në nivelin e ministrave, apo qoftë në nivelin e drejtorëve të institucioneve, nuk dinë të punojnë dhe (besoj e keni dëgjuar shprehjen) që kur "nuk kanë ç'bëjnë, luajnë derën". Edhe drejtori i Muzeut, si një shprehje tipike e kësaj politike të vjetër të paaftësisë dhe të dembelizmit mendor, thotë "ta marrim mozaikun ta fusim brenda dhe të bëjmë një mozaik tjetër me përmbajtjen e muzeut".
Në vijim, kjo është përgjigja që ai i ka dhënë qytetarëve për mozaikun dhe për mënyrën se si po duan ta rishohin historinë qeveria dhe politika e ditës. "Asnjë kuadër i kulturës staliniste nuk do të arrinte dot të ishte kaq stalinist në mënyrën e të shikuarit të historisë, të marrëdhënies së një godine me një qytet, të raportit të artit me historinë, të raportit të një qeverie me historinë dhe mbi të gjitha të raportit që kanë këta zotërinj që qeverisin sot me kulturën, jo thjesht si kulturë shqiptare, por me kulturën si nocion.
Ky është një qëndrim prej një dembeli mendor dhe nuk ka të bëjë asgjëkundi me atë që ka nevojë ai muze, i cili duhet reformuar tërësisht, sepse është një muze që nuk ka asnjë kopje të tij në asnjë vend të botës së qytetëruar, një krijesë staliniste, e cila nuk është më pak staliniste edhe pasi ka hequr të gjitha simbolet e dukshme të stalinizmit, por që e ka stalinizmin në mendësinë e drejtimit dhe mendësinë e administrimit të atyre hapësirave".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›